
Tensionet janë rritur në kompaninë “Bankers Petroleum” në Marinzë, ku mëngjesin e së mërkurës dhjetëra punonjës kanë nisur një grevë urie, duke kërkuar rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës.
Fillimisht, rreth 200 punonjës protestuan përpara zyrave të kompanisë, ndërsa Kryetari i Sindikatës së Sektorit Hidrokarbur, Dritan Shahu, bëri të ditur se dhjetë naftëtarë janë futur në grevë urie në një nga ambientet e sindikatës.
Sipas grevistëve, kompania nuk ka kryer asnjë rishikim apo rritje page prej më shumë se dhjetë vitesh, ndërkohë që kërkesat e tyre janë shpërfillur nga drejtuesit e “Bankers Petroleum”.
“Prej një dekade pagat kanë mbetur të pandryshuara, pavarësisht vështirësive dhe rritjes së kostove të jetesës,” shprehen naftëtarët.
Ndërkohë, grupet e naftës kanë bojkotuar punën, dhe sipas sindikatës, të enjten pritet që grevës t’i bashkohen edhe punonjës të tjerë, nëse kompania nuk jep një përgjigje ndaj kërkesave të tyre.