
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka vijuar akuzat ndaj Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke e cilësuar atë si “të dypunësuar” dhe “noter të mazhorancës”.
I ftuar në programin e drekës në News24 me gazetaren Ola Bruko, Këlliçi komentoi edhe deklaratat e kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili kishte theksuar se Begaj nuk ka shkelur Kushtetutën dhe se nuk do të shkarkohet.
Sipas deputetit demokrat, kjo “arrogancë” e Ballës vjen vetëm për shkak të numrave që mazhoranca ka në Kuvend.
“Arroganca e Ballës shfaqet për shkak të numrave që kanë në parlament. Pas farsës së 11 majit, këta vërtet i kanë numrat. Qëndrimet e Begajt janë për të ardhur keq,” tha Këlliçi.
Ai shtoi se Presidenti Begaj ka konsumuar disa shkelje të Kushtetutës, duke theksuar se ushtrimi paralel i profesionit si mjek është një prej tyre.
“Ne kemi renditur shtatë shkelje të Kushtetutës nga Begaj. Të shkojë të ketë dypunësim, sepse ja ndalon Kushtetuta. Nuk e di si e kanë lënë këshilltarët e tij në këto hapa të jashtëligjshëm. Është çmenduri që një President të ushtrojë profesion tjetër,” deklaroi ai.
Sipas Këlliçit, kreu i shtetit nuk po vepron si garant mbi palët, por si një “noter politik” i mazhorancës.
“Ky është një President që para një muaji e shkeli përsëri Kushtetutën me dekretimin anti-kushtetues për ministren Diella. Është turpi më i madh që kemi marrë dhe një vendimmarrje militanteske. Presidenti duhet të ishte garant i Kushtetutës, jo zbatues i urdhrave të kryeministrit,” shtoi ai.
Deputeti demokrat përfundoi duke theksuar se qëndrimet dhe vendimet e Presidentit Begaj “cenojnë rëndë institucionin e Presidencës dhe duhet të jenë objekt i shkarkimit të tij”.