
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të qeverisë shqiptare, e cila sipas tij nuk ka përshëndetur marrëveshjen për paqe në Gaza.
Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për “heshtje të qëllimshme” dhe e krahasoi qëndrimin e tij me atë të Koresë së Veriut dhe Iranit.
“Këtë marrëveshje nuk e përshëndetën vetëm Kim Jong Un i Koresë së Veriut, Ayatollahu i Iranit dhe Edi Rama. Ndërkohë që e gjithë bota demokratike e mirëpriti,” tha Berisha.
Ai kujtoi se ish-ministri i Jashtëm Tritan Shehu kishte përshëndetur marrëveshjen në parlament, ndërsa reagimi nga mazhoranca mungoi plotësisht.
“Sot Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s, me miqësi historike me Izraelin dhe marrëdhënie të njohura me Palestinën, hesht në një moment kyç. Kjo është e papranueshme,” shtoi Berisha.
Sipas tij, qëndrimi i qeverisë është një “turp diplomatik” që e vendos Shqipërinë në të njëjtin krah me regjime autoritare.
“Unë e dënoj thellësisht këtë heshtje. Edhe ata që Trump i ka cilësuar kundërshtarë në SHBA e përshëndetën marrëveshjen. Vetëm narko-shteti i Tiranës heshti si fija e barit,” përfundoi Berisha.