
Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, po vijon dëshminë e tij në Komisionin parlamentar të Ligjeve, ku është përballur me një sërë pyetjesh nga deputetët e opozitës, lidhur me hetimet mbi aferat e dyshuara qeveritare dhe çështjet e krimit të organizuar.
Një nga temat e ngritura ishte ajo për projektet “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, për të cilat opozita ka akuzuar qeverinë për parregullsi dhe korrupsion. I pyetur për ecurinë e hetimeve, Dumani tha se në rast se do të evidentohen prova, SPAK do të veprojë pa asnjë hezitim.
“Tigri 1 dhe Tigri 3, në rast se evidentojmë prova, do të ushtrojmë ndjekje penale në çdo rast,” deklaroi kreu i SPAK.
Në vijim të seancës, deputeti demokrat Gjin Gjoni ngriti pyetje lidhur me hetimet për pastrimin e parave. Dumani theksoi se ky fenomen mbetet një shqetësim serioz, por vuri në dukje se numri i procedimeve penale është në rritje, njësoj si dhe vlera e pasurive të sekuestruara.
“Për pastrimin e parave e kemi përmendur, është shqetësim. Kemi ndërtuar rast pas rasti. Numri i hetimeve ka ardhur në rritje, vlera e pasurive të konfiskuara është rritur. Ka vend për të rritur numrin e hetimeve, nuk është e lehtë, por kemi treguar që vit pas viti kemi shtuar procedimet,” tha Dumani.
Sa i takon përdorimit të platformave të kriptuara si Sky, Encro apo Matrix, Dumani tha se SPAK po bashkëpunon ngushtë me partnerët ndërkombëtarë përmes letër-porosive dhe shkëmbimeve të rregullta të të dhënave.
“Numri i platformave të kriptuara është shumë i madh. Kemi shkëmbime herë pas here të të dhënave përmes letërporosive dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë,” u shpreh ai.
Ndërsa për hetimet që lidhen me pastrimin e parave në sistemin bankar, kreu i SPAK u tregua i kujdesshëm, duke sqaruar se ka pasur raste kur elementë të krimit kanë tentuar të përdorin bankat për transaksione të dyshimta, por jo hetime të drejtpërdrejta ndaj vetë bankave.
“A ka një hetim për pastrim parash në banka? Nuk mund të them gjë. Kemi pasur një rast jo për bankat, por për elementë të krimit që tentuan t’i përdorin ato për pastrim parash,” shtoi Dumani.
Seanca dëgjimore në Komisionin e Ligjeve pritet të vijojë edhe me pyetje të tjera nga deputetët e opozitës lidhur me dosje të tjera në hetim nga SPAK.