Vendosni fjalën kyçe....

Mes tensioneve me Kinën e Pakistanin, India e Afganistani “ngushëllohen” te njëri-tjetri


India të premten përmirësoi lidhjet me administratën e Talibanëve në Afganistan, duke i dhënë një shtysë grupit të izoluar diplomatikisht, duke njoftuar se do rihapte ambasadën e saj në Kabul që ishte mbyllur pasi Talibanët morën pushtetin në vitin 2021.

Administrata talibane afgane gjithashtu do dërgojë diplomatë në Neë Delhi, tha ministri i Jashtëm i saj.

India e mbylli ambasadën e saj në Kabul pas tërheqjes së forcave të NATO-s të udhëhequra nga SHBA-ja nga Afganistani i shkatërruar nga lufta katër vjet më parë, megjithëse hapi një mision të vogël në vitin 2022 për të lehtësuar tregtinë, mbështetjen mjekësore dhe ndihmën humanitare.

Rreth një duzinë vendesh, duke përfshirë Kinën, Rusinë, Iranin, Pakistanin dhe Turqinë, kanë ambasada që funksionojnë në Kabul, megjithëse Rusia është i vetmi vend që ka njohur formalisht administratën talibane, anëtarët e së cilës janë nën sanksionet e OKB-së, përfshirë ndalimin e udhëtimit dhe ngrirjen e aseteve, shkruan Reuters.

Lëvizja e Indisë e ndikuar nga tensionet me Pakistanin e Kinën

Njoftimi i Indisë erdhi gjatë bisedimeve në Neë Delhi midis ministrit të Jashtëm Subrahmanyam Jaishankar dhe homologut të tij në administratën talibane, Amir Khan Muttaqi, i cili është në një vizitë gjashtëditore pasi mori një përjashtim të përkohshëm nga ndalimi i udhëtimit.

Ky ishte udhëtimi i parë i tillë në Indi nga një udhëheqës i Talibanëve që nga viti 2021.

“India do ngrejë misionin e saj teknik në një mision diplomatik në Kabul, dhe diplomatët tanë do të vijnë gjithashtu këtu,” u tha Muttaqi gazetarëve të premten, duke shtuar se qëllimi ishte që të dy vendet të ktheheshin ngadalë në “normalitet”.