Të dërguarit e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, manjati i pasurive të paluajshme Steve Witkoff dhe dhëndri i tij Jared Kushner, po përshëndeten si arkitektë kyç të marrëveshjes historike midis Izraelit dhe Hamasit.
Të shtunën mbrëma, të dy burrat u shfaqën para dhjetëra mijëra njerëzve në Sheshin e Pengjeve në Tel Aviv, ku u pritën me duartrokitje dhe brohoritje. Negociatat prapa skenave filluan, sipas Daily Mail, jo në Uashington por në Miami, dhe përfunduan në Jerusalem në takimin e Kabinetit ku u miratua marrëveshja.
Nga vila në Miami te diplomacia në Lindjen e Mesme
Marrëveshja që siguroi lirimin e pengjeve dhe një armëpushim në Gaza filloi të marrë formë në shtëpinë e Kushnerit me vlerë 32.2 milionë dollarë në Indian Creek në Miami, e njohur si “Bunkeri i Miliarderëve”. Aty, Kushner mësoi se Hamasi ishte i hapur për lirimin e pengjeve, një çast kyç pas javësh diskutimesh midis lojtarëve kryesorë në luftë.
Duke kuptuar se kishte ardhur koha, Kushner udhëtoi 20 minuta drejt Sunset Island për t’u takuar me Witkoff, një mik i vjetër dhe zhvillues pronash që tani shërben si një negociator i administratës Trump. Të dy burrat ngritën atë që Daily Mail e përshkroi si një “qendër komandimi diplomatike”, të vendosur për të siguruar një arritje të madhe në Lindjen e Mesme për Presidentin Trump.
Nga ajo bazë në Florida, ata bënë një sërë thirrjesh për lojtarët kyç, duke përfshirë vetë Trump-in dhe zyrtarë të lartë izraelitë. Në një intervistë për The New York Times, Kushner tha se prioriteti i tyre ishte të bindnin Izraelin të përqendrohej në elementet pozitive në deklaratën e Hamasit dhe jo në atë që nuk ishte ofruar ende.
“Unë dhe Steve i thamë Izraelit, ‘Ju inkurajojmë të jeni edhe ju pozitivë,'” tha ai.
Negociatat kalojnë në Sharm el-Sheikh
Brenda pak orësh nga marrja e mesazhit të Kushner dhe Witkoff, kryeministri Benjamin Netanyahu ra dakord të vijonte me fazën e parë të planit më të gjerë të paqes të Trumpit. Më pas, dyshja hipi në një avion për në Egjipt për të vijuar bisedimet personalisht. Një zyrtar amerikan i njohur me procesin i tha Daily Mail se finalizimi i marrëveshjes nga larg ishte e pamundur.
Prania fizike në Lindjen e Mesme ishte thelbësore. Duke zbritur në Sharm el-Sheikh në orën 6:30 të mëngjesit të mërkurën me orën lokale, ata shkuan drejtpërdrejt në atë që një burim e quajti negociata me rrezik të lartë. Deri në orën 2:30 të mëngjesit të ditës tjetër, marrëveshja ishte përfunduar.
Burimi i brendshëm tha se pavarësisht se kishin fjetur vetëm rreth pesë orë në tri ditë, të dy të dërguarit ndjenë lëvizje nga të dyja palët.
“Ata filluan të ndiejnë,” tha burimi i brendshëm, “se të gjithë kishin lëvizur në një pikë në mes ku mund të bëhej një marrëveshje. Kjo ka qenë një re vërtet e errët mbi Lindjen e Mesme dhe mendoj se të gjithë janë shumë të emocionuar për të ecur përpara.”
Kushner e krahasoi përvojën me punën e tij në pasuritë e paluajshme.
“Ka shumë për t’u negociuar përpara se të arrish kontratën dhe të vendosësh paratë,” tha ai.
“Mendoj se ne thjesht jemi mësuar me marrëveshje të ndërlikuara që janë shumë dinamike, dhe me karaktere komplekse gjithashtu. Përvoja që unë dhe Steve kemi si njerëz të marrëveshjeve është që duhet t’i kuptosh njerëzit. Duhet të jesh në gjendje të nxjerrësh më të mirën dhe atë që kanë në fund të vetes dhe më pas të shohësh se kush mendon se po luan lojëra dhe sa vend ke për t’i shtyrë gjërat?”
Pasi marrëveshja u finalizua, Witkoff dhe Kushner fluturuan nga Egjipti për në Izrael për të marrë pjesë në takimin e Kabinetit që e miratoi atë. Një zyrtar i pranishëm i tha Daily Mail: “Të gjithë filluan të duartrokisnin… Mendoj se ata po pranonin se ata ishin emisarët e presidentit. Trump është shumë popullor në Shtetin e Izraelit për arsye të qarta.”
Të dërguarit e Trump sërish në skenën botërore
Një burim i afërt me administratën tha se Kushner ka zgjedhur të luajë një rol më pak qendror në mandatin e dytë të Trumpit, pasi ishte shumë aktiv gjatë të parit.
“Ai gjithmonë do jetë aty për të ndihmuar, veçanërisht në ndjekje të paqes,” tha burimi.
Në tubimin e Sheshit të Pengjeve, Witkoff i tha turmës: “E kam ëndërruar këtë natë. Ju keni duruar dhimbje të mëdha në zemër dhe frikë, por nuk u dorëzuat kurrë. Kurajoja juaj frymëzoi botën. Ky moment u bë i mundur nga besimi juaj dhe udhëheqja e guximshme e mikut tim, Presidentit Donald J. Trump.”
Ai e lavdëroi Trump-in që hodhi poshtë idenë se paqja në Lindjen e Mesme ishte e pamundur.
“Ai bashkoi kombe që dikur ishin ndarë nga armiqësia prej brezash dhe tregoi se paqja e përbashkët është më e fortë se dhimbja e përbashkët,” tha Witkoff.
Duke iu drejtuar familjeve të pengjeve, ai shtoi: “Vëllezër dhe motra, ju po ktheheni në shtëpi. Fytyrat, emrat dhe historitë tuaja kanë jetuar në çdo zemër këtu, dhe në timen, që kur fillova këtë mision.”
Kushner tha: “Që nga 7 tetori, zemra ime nuk ka qenë e plotë. Unë mbaj një barrë të thellë, dëshirën për t’i parë pengjet të kthehen në shtëpi, për t’i parë familjet e tyre të gjejnë paqe dhe për t’i dhënë fund këtij makthi.”
Duke reflektuar mbi bisedimet e tensionuara në Sharm el-Sheikh, ai shtoi: “Nuk ishte një udhëtim i lehtë. Një ditë, unë dhe Steve do t’i tregojmë historitë, dhe ato do t’ju bëjnë të qeshni dhe të qani. Ishte çmenduri. Vura re se ai nuk përdori asnjë fjalë të keqe sonte, ndoshta sepse i përdori të gjitha gjatë negociatave.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Ynet
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani


