Vendosni fjalën kyçe....

Dy turistë zviceranë humbin në Parkun Kombëtar të Shebenikut, ekipet e shpëtimit në kërkim


Një çift turistësh nga Zvicra janë humbur në Parkun Kombëtar të Shebenikut në Librazhd, pasi dyshohet se kanë dalë nga shtegu i shënuar gjatë një ecjeje në natyrë. Njëri prej tyre raportohet të ketë pësuar dëmtim në këmbë dhe ka kërkuar ndihmë urgjente.

Lokacioni i fundit i identifikuar është në malin e Shebenikut, në zonën e Hotolishtit, ku terreni është i vështirë dhe me akses të kufizuar.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Elbasan, Fatmir Brazhda, njoftoi se është ngritur një grup emergjence që po bashkëpunon me policinë e Librazhdit për kërkimin e turistëve.

Operacioni është ende në zhvillim, ndërsa autoritetet u bëjnë apel vizitorëve të ndjekin vetëm shtegun e miratuar dhe të respektojnë udhëzimet e sigurisë në zonat malore.