
Një punonjës i policisë është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), pasi u kap në flagrancë duke u marrë me kultivim të lëndëve narkotike dhe mbajtje pa leje të armëve të zjarrit.
Sipas BalkanWeb, bëhet fjalë për efektivin Elson Leka, me detyrë patrullë e përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Fushë-Krujë. Ai u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Bashkëpunimi”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Sipas njoftimit zyrtar të AMP-së, Leka dyshohet se bashkë me vëllain e tij, Ç. L. (i shpallur në kërkim), rreth orës 11:30 të ditës së ngjarjes, ishin të pranishëm në një zonë pyjore të Njësisë Administrative Cudhi, në Krujë, ku u konstatuan parcela me 65 bimë narkotike të dyshuara si “Cannabis Sativa”.
Sapo kanë parë policinë, të dy janë përpjekur të largohen për të shmangur arrestimin. Megjithatë, efektivi i policisë u kap në flagrancë.
Gjatë kontrollit fizik ndaj tij, policia i gjeti dy armë zjarri tip pistoletë “TT” si dhe një sasi fishekësh. Në kontrollin e mëvonshëm në banesë, u gjet edhe një sasi tjetër fishekësh, të cilët u sekuestruan si prova materiale.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore shprehet e përkushtuar në misionin e saj për zbatimin e ligjit dhe i bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast abuzimi nga punonjësit e strukturave policore në numrin pa pagesë 0800 9090 apo në adresën elektronike ankesa@amp.gov.al