Ministri i Drejtësisë Lamallari i është përgjigjur kreut të PD-së Berisha pas akuzave të këtij të fundit në seancën e sotme në parlament.
Berisha kërkoi dorëheqjen e Lamallarit teksa tha se kishte përgjegjësi në vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda në Gjykatën e Apelit gjatë një seance.
Lamallari shkruan se Berisha futi vendin në vëllavrasje me ligjin 7501, që sipas tij është strumbullar i përplasjeve soclave, përçarjes e dhunës mes shqiptarëve.
Më tej ministri i përmend Berishës sulmet ndaj ish-kreut të Gjykatës së Kasacionit Zef Brozi e ish-kryeprokurorit Dhori Sollaku e ish-prokurores Ina Rama.
“Në mungesë të një alternative të besueshme dhe një mbështetje gjithmonë e më e ulët, u ka mbetur veçse gjuha e urrejtjes, baltës dhe shpifjeve bajate, bashkë me lotët e krokodilit që gëzon sa herë ka viktima!
Është pikërisht kujtesa e një të shkuare që do të marrë fund njëherë e mirë me Shqipërinë evropiane, ajo që revolton çdo qytetar, i cili teksa endet në proceset e panumërta gjyqësore, i duhet të durojë hirin syve nga ata që linçuan, intimiduan dhe përndoqën krerë të institucioneve të drejtësisë, mundohen të fitojnë kapital politik mbi viktimat e një sistemi të mbrapshtë që lanë pas, i cili vazhdon e prodhon konflikte, me viktima qytetarë dhe shërbyes të ligjit!
Futën Shqipërinë në vëllavrasje me Ligjin e mbrapshtë 7501! Strumbullar i sa e sa konflikteve sociale, përçarjeve dhe dhunës mes shqiptarëve! Edhe çështja e fundit e gjykuar nga i ndjeri gjyqtar Kalaja, problem i mbrapshtë pronësie si mijëra të tjera ku shqiptarët ranë në kaosin dhe kurthin e një epoke që nuk do ta pranojë që i ka ikur vakti!
Ish Kreu i nderuar i Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi ishte shënjestra e parë e një sulmi dhe përndjekjeje të paprecedentë që shpëtimin e vetëm kishte arratinë, i cili do të pasohej më pas nga ish-Prokurori i Përgjithshëm Sollaku nën akuzat e ulëta me qëllim të pastër denigrues dhe shpejt pasuesja e tij, Ina Rama, një grua së cilës iu desh të dëgjonte etiketimet më të ndyra ndërkohë që në mes të Tiranës kishte ndodhur një krim shtetëror me katër viktima të pafajshme. Sot, refreni i baltës, presionit dhe akuzave të shfrenuara padyshim ka në fokus Kreun e SPAK!”
