Dy impiante fotovoltaikë të rinj, me kapacitet të instaluar prej 100 MW dhe 50 MW, kanë hyrë së fundmi në prodhim, duke rritur numrin e subjekteve që kanë kaluar në një fazë të re zhvillimi dhe që pritet të rrisin peshën e energjisë diellore në totalin e prodhimit.
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) miratoi pak ditë më parë disa vendime që lidhen me impiante fotovoltaikë me kapacitete të ndryshme — nga ata deri në 2 MW, deri te impiantet më të mëdha. Veçanërisht bien në sy vendimet për “Sunny Side Energy” dhe “SPV Blue”.
Konkretisht, për të dy subjektet, vendimet e ERE-së theksojnë se tashmë ka nisur prodhimi nga këto impiante, madje në një periudhë më të shpejtë nga sa ishte parashikuar.
“Referuar raportit periodik lidhur me prodhimin e energjisë elektrike në rrjetin e transmetimit, të dërguar nga OST sh.a. për muajin gusht 2025, rezulton se sasia e energjisë elektrike bruto e prodhuar nga impianti fotovoltaik ‘Sunny Side Solar Park’ për muajin gusht është 745.2 MWh. Kjo tregon se shoqëria ka hyrë në prodhim përpara depozitimit të marrëveshjes përkatëse, në funksion të përmbushjes së detyrimit të përcaktuar në pikën 2 të vendimit nr. 13/2025”, thuhet në vendimin e ERE-së, i cili shfuqizon disa pika të një vendimi të mëparshëm, pasi kushtet tashmë janë plotësuar.
Impianti me kapacitet 100 MW ka paraqitur, sipas kërkesës, marrëveshjen me sistemin e transmetimit.
Ndërkohë, edhe subjekti i dytë ka prodhuar energji gjatë gushtit. Me shkresën e datës 15.08.2025, protokolluar në ERE me nr. 2335 prot., datë 19.08.2025, shoqëria ka depozituar në ERE njoftimin mbi nënshkrimin me OST sh.a. të marrëveshjes së operimit në rrjetin e transmetimit me nr. 4333 prot., datë 13.08.2025, si dhe të marrëveshjes me palën përgjegjëse për balancim me nr. 4288 prot., datë 13.08.2025. Po ashtu, është depozituar njoftimi për fillimin e procesit të energjizimit më 12.08.2025, në bashkëpunim me ekipin e OST-së, duke vijuar më pas me provën 72-orëshe dhe futjen graduale në skemën e prodhimit të energjisë.
“Nga ana tjetër, në vijim të raportimeve periodike në zbatim të licencës së operimit të sistemit të transmetimit, OST sh.a. në raportimin e muajit gusht 2025 ka bërë me dije se shoqëria ‘SPV BLUE 2’ sh.p.k. ka prodhuar sasinë prej 5,332.4 Mëh gjatë këtij muaji, fakt i cili konfirmon deklarimet e bëra nga shoqëria ‘SPV BLUE 2’ sh.p.k.”, vlerëson Enti.
Impiantet në fjalë janë dy më të fundit që i shtohen subjekteve që kanë nisur prodhimin më herët, ku më i madhi mbetet ai i Karavastasë me një kapacitet prej 140 MW. Gjithashtu, në Ersekë janë në funksion dy impiante të tjera, secili me kapacitet 20 MW, si dhe disa të tjerë me kapacitet deri në 2 Më.
Pavarësisht rritjes së numrit të impianteve, energjia fotovoltaike vijon të mbajë një peshë ende modeste në prodhimin neto vendas. Në periudhën janar–qershor, vetëm 7.8% e prodhimit neto vinte nga fotovoltaikët./ N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor
