Një violinë që dikur i përkiste njërit prej shkencëtarëve më të njohur në histori është shitur në ankand për 860,000 stërlina.
Violina Zunterer e vitit 1894, e cila besohet të ketë qenë e para e Albert Einstein-it, pritej fillimisht të shitej për rreth 300,000 stërlina në ankandin e mbajtur nga Dominic Ëinter Auctioneers në South Cerney, Gloucestershire. Një libër filozofie që Einstein i kishte dhuruar një miku u shit gjithashtu për 2,200 stërlina, shkruan BBC.
Sipas ankanduesve, kjo shitje mund të jetë më e larta ndonjëherë për një violinë që nuk ka qenë në pronësi të një violinisti koncertesh apo të prodhuar nga Stradivarius – me rekordin e mëparshëm të mbajtur nga një instrument që besohet të jetë luajtur në Titanic.
Albert Einstein ishte një violinist pasionant që filloi të luante në moshën gjashtëvjeçare dhe vazhdoi gjatë gjithë jetës së tij. Një sedilje biçiklete që i përkiste Einstein-it nuk u shit në ankand dhe mund të rikthehet për shitje. Të gjitha sendet e nxjerra në ankand iu dhuruan mikut të tij të ngushtë dhe kolegut fizikant Max von Laue në fund të vitit 1932.
Pak kohë më pas, Einstein u largua për në Amerikë për t’i shpëtuar antisemitizmit dhe nazizmit në Gjermani. Max von Laue ia dhuroi këto sende një të njohuri dhe adhuruesi të Einstein-it, Margarete Hommrich, 20 vjet më vonë, dhe ishte stërmbesa e saj që i nxori tani në shitje.
Një tjetër violinë që i ishte dhuruar Einstein-it kur mbërriti në SHBA në vitin 1933, u shit në ankand për 516,500 stërlina në Nju Jork në vitin 2018.
