Vendosni fjalën kyçe....

Protestë kundër heqjes së subvencioneve të naftës, sulmohet me gurë makina e presidentit të Ekuadorit (Video)


 

Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, shpëtoi pa lëndime pasi makina e tij u sulmua nga një turmë qytetarësh që hidhte gurë të martën, në një incident që një ministre e cilësoi si tentativë për vrasje, duke raportuar shenja dëmtimi nga plumbat në automjet.

Ministrja e Mjedisit dhe Energjisë, Ines Manzano, e cila dorëzoi një raport zyrtar për tentativë vrasjeje ndaj presidentit, tha se pesë persona u ndaluan pasi eskorta e Noboas u rrethua nga rreth 500 protestues që hidhin gurë.

Zyra e presidentit tha se të arrestuarit do përballen me akuza për terrorizëm dhe tentativë vrasjeje. Reuters nuk mundi të verifikojë në mënyrë të pavarur nëse ndaj makinës së presidentit është qëlluar me armë gjatë protestës, që lidhet me heqjen e subvencioneve të karburantit muajin e kaluar.

Duke folur më vonë në një aktivitet studentor në Cuenca, rreth 77 km në jug të vendit ku ndodhi sulmi, Noboa tha se qeveria e tij nuk do tolerojë veprime të tilla.

“Mos ndiqni shembullin e keq të atyre që donin të na pengonin të merrnim pjesë në këtë aktivitet me ju dhe që tentuan të na sulmonin,” tha ai.

“Sulme të tilla nuk do të pranohen në Ekuadorin e ri dhe ligji zbatohet për të gjithë.”

Ministrja Manzano shtoi: “Të qëllosh mbi makinën e presidentit, të hedhësh gurë, të dëmtosh pronën shtetërore, kjo është kriminale. Nuk do ta lejojmë.”

Ndërkohë, federata kombëtare indigjene CONAIE deklaroi se dhuna e organizuar shpërtheu ndaj njerëzve që ishin mobilizuar për ardhjen e Noboa-s, duke thënë se gra të moshuara ishin mes të sulmuarve në një “aksion brutal policor dhe ushtarak.”

“Na kanë ndaluar të paktën pesë prej nesh në mënyrë arbitrare,” tha federata në një postim në X, duke përfshirë një video ku një grua me veshje tradicionale shoqërohej nga katër policë me jelekë antiplumb dhe fytyra të mbuluara me bandana të zeza.

Protesta kundër dekretit

Federata indigjene CONAIE nisi një grevë 16 ditë më parë, duke organizuar marshime dhe duke bllokuar disa rrugë, si protestë kundër vendimit të qeverisë për të hequr subvencionet për naftën. Kritikët thonë se nevojitet më shumë dialog dhe se masa do rrisë koston e jetesës, veçanërisht për fermerët e vegjël dhe komunitetet indigjene.

Noboa nënshkroi dekretin ekzekutiv për heqjen e subvencioneve në mes të shtatorit, dhe qeveria e tij shpalli masa emergjente në disa provinca për të ruajtur rendin.

Qeveria ka mbrojtur vendimin për heqjen e subvencionit, duke thënë se kjo do të lirojë rreth 1.1 miliard dollarë në vit, të cilat tashmë kanë filluar të shpërndahen si pagesa kompensuese për fermerët e vegjël dhe punonjësit në sektorin e transportit.

Noboa, i rizgjedhur në prill, u ka dhënë shpesh kompetenca emergjente forcave të armatosura dhe policisë si pjesë e qasjes së tij të ashpër ndaj krimit.

Ministri i Mbrojtjes, Gian Carlo Loffredo, ndau një foto të Noboa-s 37-vjeçar duke qëndruar jashtë makinës së dëmtuar me syze dielli.

“Asgjë nuk e ndalon këtë president, dhe kjo është shenja më e mirë që vendi nuk do ndalet,” tha ai.

Një video nga brenda makinës, e publikuar nga presidenca, tregonte njerëz që hidhnin gurë në anë të rrugës dhe çarje në xhamin e dritares. Një imazh tjetër tregonte një makinë me dritare të thyer dhe xham të përparmë të çarë rëndë.

Sulmi u dënua nga disa qeveri të huaja, përfshirë ato të Kosta Rikës, Hondurasit dhe Panamasë.

Në një ngjarje të veçantë, rreth 200 persona dolën në rrugët e kryeqytetit Quito të martën në mbrëmje për të protestuar kundër qeverisë së Noboa-s. Policia bllokoi marshimin dhe turma u shpërnda paqësisht.