Vendosni fjalën kyçe....

Elisa Spiropali në Belfast për Procesin e Berlinit: Shqipëria, zë udhëheqës për paqen dhe integrimin e rajonit


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka mbërritur në Belfast të Irlandës së Veriut, ku po merr pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit.

Në një postim nga qyteti simbol të paqes dhe dialogut, Spiropali theksoi rëndësinë e këtij forumi për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor.

“Sapo mbërritëm në Belfast të Irlandës së Veriut për Ministerialin e Procesit të Berlinit. Nga qyteti që e shndërroi ndasinë në dialog, përçojmë të njëjtën frymë për Ballkanin Perëndimor. Belfasti na kujton se paqja nuk trashëgohet lehtë, ajo ndërtohet ditë pas dite përmes bashkëpunimit, zhvillimit dhe integrimit. Shqipëria rolin udhëheqës në këtë proces nuk e ka fituar me retorikë, por përmes reformave, veprimit dhe besimit,” deklaroi ministrja.

Gjatë ministerialit, Spiropali do të zhvillojë disa takime dypalëshe me homologë europianë dhe do të jetë folëse kryesore në disa sesione plenare që fokusohen në çështje të sigurisë europiane dhe migracionit, pajtimin në Ballkanin Perëndimor, si dhe procesin e integrimit të rajonit drejt Bashkimit Europian.

Ky ministerial zhvillohet nën kujdesin e Sekretares së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, dhe është pjesë e serisë së takimeve në nivel ministror që Mbretëria e Bashkuar, si vend pritës i Procesit të Berlinit 2025, po organizon me tematika që përfshijnë politikën e jashtme, të brendshme dhe ekonomike.

Takimet e këtij procesi do të kulmojnë me Samitin e Liderëve, i cili do të mbahet më 22 tetor në Londër, nën drejtimin e Kryeministrit britanik.