
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë dhe aleatët e saj se kanë shkatërruar sistemin e drejtësisë në vend, duke e quajtur atë “peng të makinerisë propagandistike Rama-Soros”.
Në një deklaratë për mediat, Berisha theksoi se 80% e prokurorive në vend janë aktualisht pa kryetarë, gjë që sipas tij tregon për një kapje të thellë politike të institucioneve të drejtësisë.
“Ju nuk mund ta imagjinoni se çfarë pengu është sot ai që quhet sistem i drejtësisë. Ju keni dëgjuar se 80% e prokurorive nuk kanë kryetar. KLP dhe KLGJ, qeveritë kushtetuese të tyre, nuk emërojnë kryetarë,” u shpreh Berisha.
Ai shtoi se postet në drejtësi po mbahen bosh për shkak të interesave klienteliste dhe korruptive:
“Motivet janë po prapë korruptive. Kushtetuta ka përcaktuar kritere për të qenë kryetar. Tani ose ata nuk plotësojnë kriteret, ose i plotësojnë por duhet të paguajnë qimet e kokës. Ose ato ruhen për patronazhistët që nuk kanë bërë 8 vite në ato gjykata,” tha ai.
Berisha akuzoi qeverinë se ka vendosur rregulla të qëllimshme për të mbajtur nën kontroll magjistratët, të cilët sipas tij janë “patronazhistë të pushtetit”.
“Kanë vënë rregull që magjistratët duhet të kenë bërë disa vite në administratë. Dhe magjistratët janë patronazhistë. Por problemi është që nuk plotësojnë kushtin kushtetues,” theksoi ai.
Ish-kryeministri shtoi se perceptimi publik për drejtësinë si “më e pastra ndonjëherë” është “historia më e madhe e manipulimit të opinionit shqiptar”.
“Në vitin 2012–2013 sigurisht kishte korrupsion, por të themi të vërtetën, korrupsioni në drejtësi ishte mbrapa atij të politikës dhe të policisë,” u shpreh Berisha, duke shtuar se “makineria propagandistike e Ramës dhe Sorosit e nxirrte korrupsionin në drejtësi që s’kishte ndodhur, vetëm për të shpërbërë sistemin e drejtësisë.”