
Partia Demokratike ka ngritur sot një tjetër akuzë për abuzim me fondet publike, duke denoncuar një rast të ri në Bashkinë e Tropojës.
Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, deklaroi se bashkia, nën drejtimin e përkohshëm të Zyra Islamajt, e cila tashmë është marrë si e pandehur nga SPAK për procedura tenderimi, ka sfiduar hapur vendimet e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP).
Tenderi në fjalë lidhet me objektin “Ndërtim i rrugës Auto Kika – Gj. Dragobisë – Qafë Paje”, me një fond limit prej 82.9 milionë lekësh.
Pas vendimit të parë të KPP-së më 3 shtator 2025, që urdhëronte rivlerësimin e procedurës, komisioni ndërhyri sërish më 23 shtator 2025, duke ndaluar autoritetin kontraktor të vijonte me procesin dhe duke kërkuar respektimin e vendimit të tij.
Megjithatë, sipas PD-së, Bashkia Tropojë e ka sfiduar këtë urdhër ligjor. “Në kundërshtim të hapur me këtë vendim detyrues, më 3 tetor 2025, Bashkia Tropojë ka përsëritur të njëjtin standard, duke lënë në fuqi skualifikimin e operatorit me ofertën më të ulët – pikërisht atij operatori mbi ankesën e të cilit KPP kishte konstatuar shkelje në veprimet e bashkisë,” tha Vangjeli.
Ajo e cilësoi këtë si “një sfidë të hapur ndaj Komisionit të Prokurimit Publik dhe organeve të drejtësisë”, duke theksuar se “zyrtarët lokalë të mbështetur nga qeveria e Edi Ramës ndihen të paprekshëm përballë ligjit”.
Në përfundim, Partia Demokratike kërkoi zbatimin e menjëhershëm të vendimeve të KPP-së dhe penalizimin e zyrtarëve që, sipas saj, kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë dëmtuar interesin publik.
“Ky është një rast tipik i shpërdorimit të pushtetit vendor për të favorizuar klientët politikë të qeverisë,” tha Vangjeli.




