
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur një sërë shqetësimesh serioze në Komisionin për Çështjet Europiane dhe Punët e Jashtme, ku po diskutohet projektligji për menaxhimin e mbetjeve.
Tabaku, e cila ka drejtuar më herët Komisionin Hetimor Parlamentar për inceneratorët, paralajmëroi se drafti i propozuar nga qeveria rrezikon të përsërisë të njëjtat gabime që çuan në skandalin më të madh korruptiv të viteve të fundit.
“Ky është drafti i tretë dhe, ndryshe nga sa pretendon qeveria, nuk është konsultuar publikisht. Ne kemi një ligj që vjen pa transparencë dhe pa përfshirje të grupeve të interesit,” u shpreh Tabaku.
Ajo theksoi se sipas progres-raporteve të Bashkimit Europian që nga viti 2020, incenerimi nuk është një metodë e preferuar për menaxhimin e mbetjeve, ndërsa kujtoi se edhe ministri aktual e di këtë shumë mirë, pasi shqetësimet i janë përcjellë prej kohësh nga Brukseli.
Deputetja demokrate kërkoi që ky projektligj të diskutohet paralelisht me ligjin për zgjerimin e përgjegjësisë së prodhuesve, duke theksuar se të dyja nismat janë të ndërlidhura.
“Nëse nuk kemi një sistem të qartë riciklimi dhe nuk përcaktohet si do të funksionojë cikli i mbetjeve me sektorin privat, ligji mbetet bosh. Duhet të sqarojmë gjithashtu nëse ky ligj lejon apo jo importin e mbetjeve,” deklaroi Tabaku.
Një tjetër shqetësim që ngriti ajo ishte rritja e tarifave për menaxhimin e mbetjeve.
“Në ligj parashikohet një rritje deri në 1%, por çfarë ndodh me bashkitë që tashmë kanë rritur tarifat, si Tirana, Durrësi apo Elbasani? Në Durrës tarifa është rritur me 10 milionë euro, ndërkohë që qytetet janë më të ndotura se kurrë. A do të rriten sërish çmimet?”, pyeti Tabaku.
Duke iu referuar gjetjeve të Komisionit Hetimor, ajo kujtoi se janë shpërdoruar rreth 430 milionë euro për inceneratorët, ndërsa projektligji i ri nuk garanton as llogaridhënie dhe as ndarje të qartë të kompetencave midis qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor.
“Kemi një përplasje të hapur me pushtetin vendor. Qeveria po i merr kompetencat bashkive, duke shkelur parimin e subsidiaritetit që është thelbësor në procesin e integrimit europian,” përfundoi Tabaku.
Ky qëndrim i saj është në linjë me kërkesat e opozitës për transparencë, përfshirje të publikut dhe rikthim të rolit të bashkive në menaxhimin e mbetjeve, si pjesë e procesit të përafrimit me standardet e BE-së.