
Godina e ish-shkollës së Rezervave në Shkodër, ku prej vitit 1992 jetojnë 31 familje, ndodhet në qendër të një konflikti të gjatë pronësie që ka përfshirë familjen Shkambi — familje e përmendur edhe pas ngjarjes tragjike në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra brenda sallës së gjyqit.
Autori i vrasjes, Elvis Shkambi, është nipi i Gjon Shkambit, personi me të cilin banorët janë në konflikt për pronësinë e objektit ku jetojnë prej më shumë se tre dekadash.
Sipas dëshmive të dhëna për News24, banorët e zonës shprehen të tronditur nga ngjarja dhe thonë se gjyqtari Astrit Kalaja “vdiq për të drejtën e tyre”.
“Unë jam Shuke Pepniku. Shtëpinë ia kam blerë Gjon Shkambit në vitin 1996. Ai vetë e ka shitur, edhe pse pastaj kërkoi ta rimerrte. Kemi 15 vite nëpër gjyqe. Jemi me drita, ujë, dokumente. Jemi të rregullt. Na vjen shumë keq për vdekjen e gjyqtarit, ngushëllime familjes së tij,” – tha një nga banoret.
Një tjetër banor hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj Bashkisë dhe Hipotekës, të cilat sipas tij kanë krijuar një situatë të paqartë duke regjistruar pronën si private, ndonëse ishte shtetërore.
“Fitimi i pronës është bërë gabim. Bashkia dhe Hipoteka e kanë bërë këtë rrëmujë. Nuk ka vendim të Këshillit Bashkiak. Prona është shtetërore, nuk ka vendim gjykate për të na nxjerrë jashtë. Jemi nëpër seanca që nga viti 2012.”
Sipas banorëve, konflikti me familjen Shkambi ka nisur në fillim të viteve ’90 dhe është shoqëruar ndër vite me procese të shumta gjyqësore, tentativa për të marrë objektin me forcë, si dhe, sipas tyre, presione të vazhdueshme.
Ata shprehen se pavarësisht humbjes së gjyqeve nga pala kundërshtare, situata nuk ka marrë zgjidhje përfundimtare dhe mbeten nën rrezik të përhershëm për t’u nxjerrë në rrugë.
Ngjarja e rëndë në Gjykatën e Apelit të Tiranës, ku gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje nga Elvis Shkambi, ka shtuar edhe më shumë tensionin dhe vëmendjen mbi këtë konflikt të zgjatur. Banorët e ish-shkollës në Shkodër thonë se ndihen të shqetësuar dhe kërkojnë që institucionet të ndërhyjnë për një zgjidhje të drejtë dhe përfundimtare.