Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj kundër kandidaturës së propozuar nga Berisha: S’e mbështesim Florian Binajn


Kreu i Partisë Mundësia Agron Shehaj ka deklaruar se nuk do e mbështesë kandidaturën e Florian Binajt, të propozuar më herët nga kreu i PD-së Berisha.

Ai tha se procesi i përzgjedhjes ishte qesharak ndërsa theksoi se Mundësia nuk kishte ndërmend të impononte një kandidat po të sigurohej që do përzgjidhej kandidati i duhur.

“Qëllimi ynë nuk ishte të impononim emrin e kandidatit, por të zgjidhnim kandidatin e duhur. Mënyra më e mire është realizmi i sondazhit. Si mund të merret ky vendim ? Si mund të shkojmë ne në zgjedhje pa ditur se kush është kandidati më i mirë Kjo është e papranueshm. Nuk kam pasur asnjë kontakt me Berishën. Është kërkuar pasi është shpallur kandidati. E merrni me mend vetë, se sa serioze është një takim pasi Partia Demokratike ka dalë zyrtarisht me një kandidat.

Komunikimin nuk e ndërpremë ne. Komunikimin, le të themi, përpjekjet tona për të dalë me një kandidatë, të mbështetur nga të gjitha forcat opozitare, mbaroi momentin kur kryetari i Partisë Demokratike ka dalë vetëm me një kandidat. Ky është kandidati që ne do mbështesim. Tani nuk ka kuptim që ne të vazhdojmë të diskutojmë, se nuk mund të pretendojmë që Partia Demokratike, të ndërrojë mendim dhe të thotë “jo tani do vazhdojmë me këtë kandidatë” .

E përseris edhe njëherë, qëllimi ynë, e kemi thënë që ditën e parë, nuk ishte që ne të impononin emrin. Nuk na interesonte emri. Ne na interesonte që të kishim një proces që të kishim kandidatin më të mirë, për t’i dhënë Tiranës një kryetar bashkie të pakorruptuar. Kjo ka vetëm një mënyrë për t’u bërë, siç bëjnë të gjitha partitë perëndimore, kur duan të zgjedhin kandidatin më të mirë, është të bësh një sondazh. Vetëm nëpërmjet sondazhi je i sigurt që kandidati që ti po nxjerr është më i miri. Ne nuk mund ta dimë. Ne nuk mund ta bëjmë me hamendje, nëse ky është më i miri ose nëse ai tjetri është më i keqi.”, tha Shehaj.

Një ditë më parë, Binaj shpalli kandidaturën e tij për Tiranën. Forca e parë politike që e mbështeti ishte Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt. Ndërkohë sot në mesditë, kreu I PD-së shpalli mbështetjen e tij për emrin e Binajt dhe u bëri thirrje partive opozitare që ta mbështesnin.

Para Binajt, emrat që u përfolën si kandidatë të mundshëm të opozitës për Tiranën ishin ata të Ermal Hasimes, Edlira Çepanit dhe Florian Haçkës.