
Nga 30 Shtatori 2025, Bashkia e Tiranës, përmes Drejtorisë së Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore (DPTTV), ka filluar të njoftojë debitorët e taksave vendore edhe në platformën e-Albania, përveç metodës tradicionale me postë.
“Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore- Bashkia Tiranë ka ndërmarrë një hap të ri për të përmirësuar transparencën dhe komunikimin me qytetarët dhe bizneset.
Prej datës 30 shtator 2025, njoftimet dhe kërkesat për pagesë për debitorët e taksave dhe tarifave vendore, pra subjektet me detyrime të papaguara krahas shpërndarjes me postë, po dërgohen për herë të parë edhe online në platformën qeveritare e-Albania”, thuhet në njoftim.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të taksave dhe Tarifave Vendore, deri tani janë dërguar mbi 40 mijë njoftime, duke kombinuar metodën tradicionale me postë dhe zgjidhjen digjitale, në mënyrë që çdo debitor të informohet sa më shpejt për detyrimet e tij, shkruan Monitor.
“Njoftimi gjendet në rubrikën “Dokumentet e Mia” në e-Albania, si nga profili i biznesit, ashtu edhe nga profili i individit, për pronarët e njësive tregtare.
Këto njoftime kanë për qëllim kujtesën e debitorëve për shlyerjen e detyrimeve ligjore në kohë, duke shmangur penalitetet dhe procedurat administrative të mëtejshme”, thekson DPTTV.
Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve vendore: më shumë transparencë, më shumë efikasitet, shmangie të burokracive dhe një qasje që i jep përparësi digjitalizimit.