
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, zhvilloi sot një debat të ashpër me Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave, Besnik Dervishi, duke e kritikuar për qëndrimin e tij gjatë procesit zgjedhor dhe mungesën e hetimeve.
“Ne duam të dimë si është zbatuar ligji në praktikë. Ju deklaruat se keni qenë i ftohtë gjatë zgjedhjeve. Në fakt, ligji kërkon të mos jesh i ftohtë në mbrojtjen e të dhënave personale. Ju thatë se nuk kemi ankesa,” tha Bardhi, duke shtuar se kjo tregon mungesën e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve: “Kjo tregon se qytetarët apo ata që janë cenuar nuk kanë besim tek institucioni juaj. Po ju them pse opozita nuk u drejtua më ju: sepse nuk ka gjetur kurrë zgjidhje dhe nuk ka parë angazhim.”
Bardhi përmendi gjithashtu raportin e OSBE-së: “Të dhënat sensitive të qytetarëve kanë qenë në duart e partive politike. E ka thënë OSBE: ‘Sistemi i patronazhimit bie ndesh me standardet ndërkombëtare.’”
Ai shtoi se Komisioneri ka detyrimin ligjor të nisë hetim edhe pa ankesa: “Roli juaj do të ishte të nisnit hetim kryesisht. Nga cila sëmundje vuan dhe çfarë kurimi kërkon, kush ka aplikuar për hipoteka, kush ka aplikuar për leje legalizimi dhe shumë të dhëna të tjera përpunohen nga subjektet politike. A nuk ju shqetëson kjo?”