
Pesë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur pa energji elektrike në Ukrainë pas sulmeve të shumta me dronë dhe raketa gjatë natës, ka bërë të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ushtria polake ka konfirmuar ngritjen në ajër të aeroplanëve luftarakë për të mbrojtur hapësirën ajrore të vendit, që ndodhet pranë kufirit me Ukrainën. Gjithashtu, në këtë operacion janë përfshirë edhe aeroplanë të aleatëve të NATO-s, përcjell REL.
Sulmet kanë goditur zona të ndryshme, duke përfshirë fshatin Lapaivka, ku katër anëtarë të një familjeje, përfshirë një vajzë 15-vjeçare, kanë humbur jetën. Një person tjetër ka vdekur në Zaporizhja.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar se ka kryer një sulm “masiv” ndaj objektivave ushtarake dhe infrastrukturore në Ukrainë. Zelensky ka theksuar se gjatë sulmit janë lëshuar mbi 50 raketa dhe rreth 500 dronë.
Në qytetin Lviv, sulmet kanë zgjatur disa orë, duke sjellë ndërprerje në shërbimet e transportit publik dhe në furnizimin me energji elektrike. Sulme janë regjistruar edhe në rajone të tjera si Ivano-Frankivsk, Çernihiv, Sumi, Harkiv, Herson dhe Odessa.
Zelensky u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë për më shumë mbrojtje ajrore, duke shtuar se “një armëpushim unilateral në hapësirë ajrore është i mundshëm dhe do të hapte rrugën për diplomaci të vërtetë”.
Sulmet vijnë në një kohë kur perspektiva për paqe duket më e largët se kurrë, ndërsa lufta po shkon drejt vitit të katërt. Përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit kanë hasur në vështirësi, pasi pozicionet e Ukrainës dhe Rusisë mbeten shumë larg njëra-tjetrës.
Presidenti rus Vladimir Putin e quan këtë konflikt “operacion special ushtarak” me synimin për çmilitarizimin e Ukrainës, ndërkohë që Perëndimi ka vendosur sanksione ekonomike të ashpra ndaj Moskës.
Lufta ka shkaktuar mijëra viktima dhe miliona persona janë zhvendosur nga vendbanimet e tyre.