
Policia ka zbardhur detaje të reja në lidhje me automjetin tip “Peugeot”, i cili u gjet i djegur plotësisht pranë një impianti për përpunimin e inerteve në Tapizë.
Sipas hetimeve paraprake, automjeti dyshohet se është përdorur në një ngjarje të ndodhur më 3 tetor, në rrugën “Besim Cera”, ku është qëlluar me armë në drejtim të murit rrethues të banesës së shtetasit Q. K., i cili ndodhet jashtë vendit.
Brenda automjetit të djegur, forcat policore gjetën dy armë zjarri automatike dhe një krehër. Policia njofton se ngjarja u evidentua pas hetimeve intensive nga grupi hetimor.
Aktualisht po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të dyshimtë.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.