Vendosni fjalën kyçe....

Përleshja me thika pranë gjimnazit në Kamëz, Xhixho: Alarmi për sigurinë në shkolla, institucionet kanë dështuar



Ngjarja e rëndë e ndodhur së fundmi pranë gjimnazit “Ibrahim Rugova” në Kamëz, ku tre nxënës mbetën të plagosur pas një përleshjeje me thika vetëm pak metra larg shkollës, ka rikthyer në qendër të debatit publik çështjen e sigurisë në institucionet arsimore.

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook, ku shpreh shqetësimin për përkeqësimin e situatës në shkolla dhe dështimin e institucioneve për të mbrojtur fëmijët.

“Ngjarja në Kamëz ngriti edhe njëherë alarmin për mungesën e sigurisë në shkolla. Nuk ka oficerë sigurie, nuk ka masa parandaluese, dhe sot kemi tre të rinj të plagosur. Kjo është pasojë e një neglizhence të vazhdueshme institucionale,” shkruan Xhixho.

Xhixho rendit disa prej rasteve më të rënda të ndodhura vetëm gjatë muajit të parë të vitit shkollor:

  • Një 16-vjeçare në Kamëz i dha fund jetës pak ditë më parë;

  • Një 15-vjeçare në Sarandë tentoi të vetëvritej si pasojë e bullizmit në shkollë;

  • Një 16-vjeçare në Këlcyrë u bë viktimë e abuzimit seksual nga efektivë policie.

Sipas saj, këto ngjarje nuk janë të izoluara, por pasqyrojnë një krizë të thellë në sistemin arsimor dhe social.

Deputetja thekson se rreth 70% e shkollave në vend nuk kanë oficerë sigurie, një fakt që sipas saj tregon qartë mungesën e vullnetit për të krijuar një mjedis të sigurt për fëmijët.

“Nuk mund të fajësohet më as TikToku dhe as rrjetet sociale. Përgjegjësia është institucionale dhe nis nga qeveria që ka injoruar arsimin për vite me radhë,” thekson Xhixho në reagimin e saj.

Ngjarja në Kamëz dhe incidentet e tjera të raportuara risjellin nevojën për masa të menjëhershme, qoftë në aspektin e sigurisë fizike, por edhe në atë të shëndetit mendor dhe mbështetjes psikologjike për nxënësit.