Vendosni fjalën kyçe....

Florjan Binaj shpall kandidaturën për kryetar bashkie të Tiranës



Aktori dhe aktivisti i njohur Florjan Binaj ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Binaj deklaron se ka marrë këtë vendim për të sjellë një ndryshim real në kryeqytet, i zhgënjyer nga drejtimi aktual dhe ndikimi politik në jetën e përditshme të qytetarëve.

“Na duhet një drejtues qytetar, i zgjedhur nga qytetarët për qytetarët,” shkruan Binaj, duke theksuar se ai do të përfaqësojë çdo qytetare e qytetar, pa ndasi politike. Ai e cilëson Tiranën si një qytet të shkatërruar në emër të zhvillimit dhe premton se kontributi i tij do t’i shërbejë bashkimit, përmirësimit të cilësisë së jetës dhe rikthimit të shpresës.

Florjan Binaj, i njohur për angazhimin e tij prej më shumë se dy dekadash në çështje publike dhe sociale, ka theksuar se kandidon si një figurë e pavarur, pa lidhje me asnjë parti politike. Ai fton të gjitha forcat politike dhe qytetarët, të majtë e të djathtë, që besojnë në ndryshim, të bashkohen rreth kësaj nisme.

“Qëllimi im është që, së bashku, ta nxjerrim bashkinë nga gjendja në të cilën ndodhet për shkak të politikës, dhe t’ua rikthejmë atë qytetarëve si një shtëpi për të gjithë,” shprehet ai në deklaratën e tij.

Kandidatura e Binajt vjen në një moment kur debati për drejtimin e Tiranës është gjithnjë e më i ndezur, dhe kur gjithnjë e më shumë zëra kërkojnë alternativa përtej partive tradicionale.

Postimi i plotë:

Të dashur mikesha dhe miq, qytetarë të ndershëm punëshumë e fjalëpakë të kryeqytetit të Shqipërisë. Si një artist i përfshirë në çështje publike me interes Kombëtar prej 22 vitesh, si një kryefamiljar, i rritur në një kryeqytet i cili ka shkatërruar shumëçka në emër të zhvillimit dhe që shumë pak gjëra kanë mbetur ende pa u bërë ish, nisur nga nevoja e menjëhershme për të pasur në drejtim të kryeqytetit një figurë e cila nuk është gjymtyrë e asnjë partie pasi e kemi parë në 34 vite që kjo mënyrë jo e drejtpërdrejtë nuk ka qënë frytëdhënëse në përmirësimin e cilësisë së jetës tonë. Na duhet një drejtues qytetar i zgjedhur nga qytetarët për qytetarët sepse asnjë nga ne nuk mund të presë më edhe 34 vite të tjera. Prandaj kam vendosur, të shpall kandidaturën time për Kryetar Bashkie të Tiranës duke dhënë gjithë veten time për të përfaqsuar sa më denjësisht çdo qytetare dhe qytetar, me apo pa parti, elektoratin gri por pa i ndarë njerëzit në krahë, por si të barabartë, sepse asnjë qytet dhe aq më tepër kryeqyteti, nuk mund ti shërbejë vetëm palës politike që e drejton. Unë besoj se kontributi im do i shërbejë edhe pse gjysëm mandati, shpresës dhe bashkimit, përmirësimit të jetës të të gjithë kryeqytetasve.

Uroj dhe shpresoj që të gjitha partitë politike qe duan vërtet ndryshimin pavarësisht ngjyrave të bashkohen me këtë nismë dhe të kenë besim tek qytetarët ashtu siç qytetarët kanë pasur besim tek ta.

Qëllimi im është, që së bashku, ta nxjerrim bashkinë nga gjëndja në të cilën ndodhet për shkak të politikës dhe t’jua rikthejmë atë qytetarëve si një shtëpi për të gjithë ne. Të rikthejmë besimin tek institucioni i bashkisë në shërbim të komunitetit!

Ftoj të gjithë qytetarët, intelektualët të majtë dhe të djathtë të na bashkohen.
Faleminderit.