Kreu i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori ka zyrtarizuar kandidaturën në garën për Bashkinë e Tiranës.
Ai shkruan se pas votëbesimit të këshillit të Lëvizjes Bashkë dhe mbështetjes së shumë qytetarëve, vendosi të jetë pjesë e garës.
“Me votëbesimin e Këshillit Koordinues të Lëvizjes BASHKË dhe inkurajimin e shumë qytetarëve, do të jem kandidat për kryetar i Bashkisë së Tiranës. Nëse qytetarët më mbështesin masivisht, zotohem që të gjitha forcat e mia morale, intelektuale dhe fizike t’i ushtroj në dobi të tyre”, shkruan Qori në Facebook.
Qori dhe Lëvizja Bashkë treguan moral politik në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit 2025, duke thyer krerët e lëvizjes Nisma Shqipëria Bëhet Lapaj-Shabani. Pavarësisht se këta të fundit morën më shumë vota, morali që Shqipëria Bëhet dhe Qori treguan pas votimeve bëri diferencën.
Ndërsa Qori dhe Lëvizja Bashkë nuk bënë asnjë manovër duke ia lënë mandatin Redi Muçit, i cili ishte i pari në listë, krerët e Nisma Shqipëria Bëhet, Lapaj e Shabani u kacafytën keqazi, duke u sharë, kërcënuar e shantazhuar për mandatin e vetëm që mori aleanca.
Me vendimin e sotëm për të garuar në zgjedhjet lokale për Bashkinë e Tiranës, Qori tregon se nuk e kupton karrigen e deputetit siç fëmijët kuptojnë lodrat e tyre.
Profili
Arlind Qori ka lindur në Tiranë më 11 nëntor të vitit 1981. Ai është aktivist i hershëm i Organizatës Politike fillimisht e më pas i Lëvizjes Bashkë, që prej themelimit në vitin 2022. Tashmë kreu i saj me mandat njëvjeçar.
Në jetën profesionale Qori është pedagog i Departamentit të Shkencve Politike në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës.
Ai është diplomuar si studiues i Shkencës Politike në vitin 2004 . Në vitin 2009 ka kryer studimet master në Departamentin e Sociologjisë e Filozofisë, me temë: “Filozofia postmoderne dhe të drejtat e njeriut”. Studimet e doktoratës i ka përfunduar në vitin 2015 me tezën: “Ideja e Evropës dhe ideologjia shqiptare: Studim i rolit të idesë së Evropës në ideologjizimin e ligjërimit politik shqiptar të pasvitit 1991”.
Në jetën politike Qori është aktivizuar fillimisht me Organizatën Politike pas protestave të 21 janarit 2011 në “Bulevardin Dëshmorët e Kombit” ku u vranë katër protestues.
Si aktivist i Organizatës Politiike e më pas në Lëvizjen Bashkë, Qori ka qenë pjesë e protestave kundër ndërtimeve në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës.
Ai ka marrë pjesë në protestat kundër ardhjes së armëve kimike në vitin 2013, protestat për transport publik cilësor, protestat kundër vrasjes së adoleshentit Ardit Gjoklaj e Klodian Rashës. Qori ka mbështetur fuqishëm minatorët e Bulqizës si dhe pensionistët në protestat e tyre si dhe banorët e fshatrave të Matit e Martaneshit kundër marrjes së burimeve ujore./Hashtag.al
