Vendosni fjalën kyçe....

Durrësi i Ri përmbytet për herë të dytë këtë vit, banorët i drejtohen Bashkisë me peticion



Banorët e zonës së Durrësit të Ri, të përmbytur dy herë brenda vitit 2025 – më 29 janar dhe më 11 shtator – kanë kërkuar një zgjidhje konkrete institucionale nga pushteti vendor për problematikën e tyre.

Nëpërmjet një deklarate publike dhe një peticioni të firmosur nga rreth 800 qytetarë, ata i janë drejtuar Bashkisë Durrës me kërkesa të qarta, në mënyrë që reshjet e dimrit dhe kapriçot e motit të mos sjellin përmbytjen e radhës. Gjithashtu, banorët kërkojnë mbështetje financiare për dëmet e pësuara nga familjet dhe bizneset.

Kërkesat e banorëve përfshijnë:

– Ndërhyrje të menjëhershme për pastrimin e kanaleve dhe kolektorëve të ujërave;

– Hartimin dhe zbatimin e një plani afatgjatë për sistemin e kanalizimeve, që të përfshijë ujërat e bardha dhe të zeza, si dhe mirëmbajtjen periodike të tyre;

– Ofrimin e dëmshpërblimeve financiare dhe materiale për të prekurit nga përmbytjet, përmes fondeve emergjente të Bashkisë ose institucioneve të tjera shtetërore.

Në deklaratën e tyre, banorët theksojnë se kjo situatë përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetesën, shëndetin dhe të drejtat themelore të qytetarëve dhe kërkon veprim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse.