
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka dhënë detaje mbi organizimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore që do të mbahen më 9 nëntor në 6 bashki të vendit, pas dekretimit nga Presidenti Bajram Begaj.
Sipas përllogaritjeve paraprake, kostot e zgjedhjeve llogariten të jenë rreth 306 milionë lekë. Celibashi bëri të ditur se në këto zgjedhje do të ngrihen gjithsej 22 KZAZ dhe 1,428 qendra votimi.
Ai theksoi se për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion, po punohet intensivisht për përgatitjet, ndërsa shtoi se votimi dhe numërimi elektronik mund të aplikohet vetëm në Njësinë 10 të Tiranës, por vendimi përfundimtar ende nuk është marrë.
“Jemi duke punuar 24 orë në ditë për t’u siguruar që çdo detaj të jetë gati në kohë. Votimi elektronik është një opsion që mund të zbatohet vetëm në Njësinë 10, por kjo mbetet për t’u vendosur,” – tha Celibashi.
Zgjedhjet e pjesshme do të zhvillohen në 6 bashki ku është lënë vakant posti i kryetarit.