Vendosni fjalën kyçe....

BE planifikon t’ia dorëzojë asetet e lidhura me Oleg Deripaska-n bankës Raiffeisen


BE-ja po përgatitet të heqë sanksionet ndaj aseteve të lidhura me oligarkun rus Oleg Deripaska me qëllim që të kompensojë bankën austriake Raiffeisen Bank për dëmet që ajo duhej të paguante në Rusi, sipas zyrtarëve evropianë.

Dispozitat për të shkrirë aksionet me vlerë rreth 2 miliardë euro në Strabag, një kompani austriake ndërtimi dikur në bashkëpronësi të Deripaska-s, janë përfshirë në draftin më të fundit të propozimit të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, sipas shtatë personave të njohur me çështjen.

Asetet do t’i kalonin Raiffeisen-it dhe do kompensonin bankën për një gjobë prej 2 miliardë eurosh që ajo duhej të paguante pas një vendimi të gjykatës ruse në favor të një biznesi të lidhur me Deripaska-n, thanë zyrtarët.

Sanksionet fillimisht u vendosën sepse Deripaska dyshohej se kishte ofruar mbështetje materiale për “kompleksin ushtarak dhe industrial të Rusisë” gjatë pushtimit të Ukrainës.

Megjithatë, disa zyrtarë evropianë janë të shqetësuar se ky veprim do legjitimojë përpjekjet e oligarkëve për të anashkaluar sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe do forcojë gjykatat ruse që po hakmerren kundër sanksioneve duke urdhëruar konfiskimin e aseteve perëndimore.

Ambasadorët e disa vendeve anëtare të BE-së pritet të kundërshtojnë këtë veprim, i cili fillimisht u propozua nga Austria, në një takim të premten për të diskutuar paketën e re të sanksioneve, shtuan pesë nga zyrtarët.

Raiffeisen: Prania në Rusi dhe ndërlikimet

Raiffeisen është banka perëndimore me praninë më të madhe të mbetur në Rusi pas pushtimit të Ukrainws nw shkurt 2022. Por ajo është vënë nën presion nga rregullatorët dhe qeveritë e huaja për t’u larguar nga Rusia, siç kanë bërë shumë biznese të tjera perëndimore.

Banka është përpjekur t’i japë fund operacioneve në Rusi. Por rregullatorët rusë nuk janë të gatshëm të lejojnë largimin e Raiffeisen-it, sepse është një nga pikat e pakta të mbetura të hyrjes së vendit në sistemin ndërkombëtar të pagesave bankare Swift, sipas personave të njohur me çështjen.

Një shitje e mundshme ndoshta do çonte në sanksione perëndimore kundër bankës dhe pronarit të saj, duke e shkëputur atë nga tregjet globale.

Banka austriake dhe Deripaska më parë u përpoqën, por dështuan, të organizonin një shkëmbim të ndërlikuar asetesh për të shkrirë 24% të aksioneve të Deripaska-s në Strabag, të mbajtura përmes kompanisë së tij Rasperia.

Marrëveshja përfundimisht u anulua për shkak të shqetësimeve se do anashkalonte sanksionet e BE-së. BE-ja dhe SHBA-ja më vonë sanksionuan një oligark tjetër, Dmitry Beloglazov, dhe disa entitete që ishin përfshirë. Deripaska kishte shitur Rasperia-n, përfshirë aksionet e ngrira të Strabag, tek Beloglazov.

Rasperia që atëherë e ka paditur Raiffeisen-in në gjykatën ruse, ku huadhënësi austriak u detyrua të paguajë 2 miliardë euro dëme. Gjykata urdhëroi gjithashtu transferimin e aksioneve të Strabag tek Raiffeisen.

Raiffeisen tha në janar se vendimi “nuk ka fuqi detyruese në Austri dhe transferimi i aksioneve prandaj nuk është i zbatueshëm”. Ajo vuri në dukje gjithashtu se “aksionet e Rasperia-s në STRABAG janë subjekt i një ngrirjeje të aseteve sipas sanksioneve të BE-së, gjë që gjithashtu pengon aktualisht transferimin e tyre.”

Propozimi në diskutim në Bruksel tani do t’i lejonte Raiffeisen-it të merrte pronësinë e aksioneve të sanksionuara, duke zbatuar në fakt vendimin e gjykatës ruse.

Shqetësimet e zyrtarëve

Zyrtarët argumentojnë se kjo legjitimon gjykatat ruse që rimarrin asetet e sanksionuara përmes konfiskimit dhe mund të inkurajojë oligarkët e tjerë të ndjekin të njëjtën qasje.

“Mund të krijojë një precedent të përshtatshëm për entitetet ruse për të rikuperuar indirekt fondet e tyre të ngrira përmes konfiskimit të aseteve të filialeve të kompanive të BE-së që ende operojnë në Rusi,” tha një diplomat.

Një tjetër tha se kjo do “paguante për rrezikun e vetë Raiffeisen-it” duke vendosur të vazhdojë të operojë në Rusi.

Mbështetësit e masës argumentojnë se masa do parandalonte entitetin e sanksionuar të merrte paratë e tij dy herë – përmes kompensimit të urdhëruar nga gjykata dhe kur asetet të shkriheshin sapo sanksionet të hiqen.

Raiffeisen nuk pranoi të komentonte. Ministria e Jashtme Austriake nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Një zëdhënës i Deripaska-s nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Rasperia nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT