
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në një fabrikë pasurimi kromi pranë minierës së Krastës, ku një 27-vjeçar ka humbur një pjesë të krahut gjatë procesit të punës.
I riu, me inicialet I.K., ka marrë fillimisht ndihmën mjekësore në spitalin e Bulqizës dhe më pas është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por në gjendje të rënduar fizike.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Bulqizës, në lidhje me këtë ngjarje janë referuar materialet në Prokurori ndaj administratorit të fabrikës, shtetasit B.L., 64 vjeç, banues në Burrel. Ai dyshohet për neglizhencë në zbatimin e masave të sigurisë në vendin e punës.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori, në ngarkim të shtetasit B.L., pasi ditën e djeshme, gjatë punës në këtë subjekt, është aksidentuar duke dëmtuar krahun shtetasi I.K., 27 vjeç,” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme hetimore.
Kjo nuk është hera e parë që raportohen aksidente të rënda në zonën e minierave në Bulqizë. Shpeshherë, këto ngjarje përfundojnë me pasoja fatale, ndërsa familjarët e punëtorëve shprehen të zhgënjyer për mungesën e përgjegjësisë dhe transparencës.