Vendosni fjalën kyçe....

Protestat e Gjeneratës Z të dhunshme, dy të vrarë në Marok


Protestat antiqeveritare për gjendjen e dobët të shërbimeve publike në Marok u shndërruan në të dhunshme të mërkurën, me dy persona të vrarë kur oficerët hapën zjarr ndaj një grupi njerëzish që përpiqeshin të “sulmonin” një stacion policie në Lqliaa, pranë qytetit bregdetar të Agadi, thanë mediat shtetërore.

Grupi, i armatosur me thika, hyri me forcë në një ndërtesë të forcave të sigurisë dhe i vuri flakën, duke i detyruar forcat e sigurisë të përdorin armë zjarri për vetëmbrojtje, thanë autoritetet lokale.

Një hetim gjyqësor për incidentin ishte hapur, thanë zyrtarët.

Kjo shënon një kthesë vdekjeprurëse në protestat antiqeveritare që fillimisht u mblodhën për reforma të drejtësisë sociale.

Ministria e Brendshme e Marokut tha se deri më tani janë arrestuar mbi 400 persona dhe gati 300 të tjerë janë plagosur gjatë tubimeve.

Protestat filluan të shtunën  me kërkesa për arsim dhe kujdes shëndetësor më të mirë.

Një ankesë e madhe është se kombi i Afrikës së Veriut po ndërton stadiume në përgatitje për të pritur Kupën e Botës FIFA 2030, duke neglizhuar krizat e shëndetit publik dhe arsimit.

Demonstratat janë nxitur nga Maroccan Youth Voice dhe GenZ 212, rrjete anonime rinore të formuara lirshëm, të cilët bënë thirrjen. Grupet përdorën platforma duke përfshirë TikTok, Instagram dhe aplikacionin e lojërave Discord për të bërë një thirrje për protesta, shkruan DW.

Ata përmendën çështje të tilla si “shëndeti, arsimi dhe lufta kundër korrupsionit”, ndërsa deklaruan “dashurinë e tyre për atdheun”.

Protestat vijnë në një kohë pakënaqësie popullore për pabarazitë sociale të Marokut, të cilat kanë prekur në mënyrë disproporcionale të rinjtë dhe gratë.

Sipas agjencisë kombëtare të statistikave, shkalla e papunësisë në Marok është 12.8%, me papunësinë e të rinjve që arrin në 35.8% dhe 19% midis të diplomuarve.

Vdekja e disa grave në një spital publik në Agadir, një qytet i madh në bregdetin qendror të Marokut, ka rritur zemërimin publik.