Vendosni fjalën kyçe....

Prapaskenat e përplasjes/ Merz kundër Von der Leyen mbi rolin e BE-së, kërkon që Berlini të rimarrë frenat e Evropës


Friedrich Merz dëshiron ta shohë Gjermaninë duke drejtuar sërish vendimet më të rëndësishme në Europë.

Kjo është ajo që Kancelari i vendit u ka thënë bashkëpunëtorëve të qendrës së djathtë në takimet e fundit, sipas një diplomati të pranishëm gjatë këtyre komenteve. Implikimi, shtoi diplomati, është i prerë: Merz po merr kontrollin.

Kjo po e çon atë në një kurs përplasjeje me Ursula von der Leyen, kryeekzekutiven e Bashkimit Europian.

Von der Leyen ka forcuar pushtetin në Komisionin Europian vitet e fundit, duke ndjekur një qasje më të përqendruar te Brukseli për krizat e përhershme të kontinentit. Megjithatë, Merz tani po përpiqet ta tërheqë pushtetin sërish drejt Berlinit, duke e kundërshtuar publikisht von der Leyen-in për çështje si tregtia, buxheti i BE-së, politika e gjelbër dhe mbrojtja.

“Ne duhet të vëmë tani një shkop në rrotat e kësaj makinerie në Bruksel,” tha Merz të premten, duke folur me drejtues biznesi.

Kryqëzata e Kancelarit ka implikime të thella për BE-në. Ndërsa von der Leyen po e afron BE-në më shumë me një të ardhme federale, Merz dëshiron ta ndalojë këtë vrull, të rishikojë politikat kyçe të BE-së dhe të riafirmojë pushtetin e qeverive kombëtare mbi burokracinë e Brukselit. Ai do e paraqesë idenë e tij para krerëve të tjerë të BE-së të mërkurën në një samit në Kopenhagen, duke premtuar një “listë të saktë kërkesash.”

“Gjermania dëshiron të dëgjohet,” tha Dolors Montserrat, anëtare e Parlamentit Europian dhe Sekretare e Përgjithshme e Partisë Popullore Europiane të qendrës së djathtë (EPP), që ëshë familja politike si për Merz-in, ashtu edhe për Bashkimin Kristian Demokrat (CDU) të Von der Leyen-it.

Kritikat e Merz-it

Brenda disa javësh pas marrjes së detyrës në maj, Merz filloi të kritikonte publikisht von der Leyen-in, Komisioni Europian i së cilës propozon legjislacionin e BE-së.

Në korrik, von der Leyen propozoi zgjerimin e buxhetit të ardhshëm afatgjatë të BE-së në 2 trilionë euro dhe sugjeroi taksa të reja. Merz e hodhi poshtë idenë në mënyrë të drejtpërdrejtë, madje edhe për standardet e tij.

“Për Gjermaninë, mund ta përjashtoj që ne do ndjekim një rrugë të tillë,” tha ai.

“Ne nuk do e bëjmë këtë.”

Po atë muaj, ai u ankua për negociatat shpesh të zgjatura të BE-së ndërsa përpiqej të arrinte një marrëveshje tregtare me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

“Më mirë shpejt dhe lehtë sesa gjatë dhe komplikuar,” tha ai.

Dhe kur von der Leyen më në fund arriti një marrëveshje me shtrëngim duarsh me Trump-in, duke vendosur një tarifë 15% për shumicën e mallrave të BE-së që hyjnë në SHBA, Merz ishte i pakënaqur: “Ekonomia gjermane do pësojë dëme të konsiderueshme nga këto tarifa.”

Vizioni i Merz-it kundër qasjes federale të BE-së

Ky kundërsulm shpërfaq konturet e vizionit europian të Merz-it – një vizion që prioritetizon shqetësimet e menjëhershme ekonomike, kërkon fleksibilitet për vendet anëtare dhe synon marrëveshje të shpejta dypalëshe, siç është ajo që Gjermania arriti me Mbretërinë e Bashkuar për të zbutur pasojat e Brexit-it. Merz argumenton se BE-ja ka shkuar përtej kompetencave të saj.

“Thjesht nuk mund të vazhdojë kështu,” tha kancelari të premten.

Shfaqja e pushtetit të kancelarit në BE po i shërben edhe audiencës së tij brenda vendit. Ai është nën presion për të rimarrë në konroll ekonominë e Gjermanisë, e cila është tkurrur vitet e fundit, pikërisht ndërsa Trump injekton turbulenca tregtare dhe partia e djathtë të Gjermanisë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), tani prin në sondazhe përpara bllokut CDU/CSU të Merz-it.

Sudha David-Wilp, zëvendëspresidente e marrëdhënieve të jashtme dhe bashkëpunëtore e lartë në Fondin Marshall Gjerman, u shpreh se: “Për një audiencë të brendshme, Merz sigurisht që duhet të sigurohet që Brukseli të mos shkojë përtej kompetencave, për shembull, kur bëhet fjalë për konkurrencën.”

Në të vërtetë, Merz duket i vendosur të ndalojë zgjerimin e pushtetit të Von der Leyen, pikërisht kur shefja e Komisionit, e cila është në mandatin e dytë, po e thekson veten në çështjet ekonomike, planifikimin e mbrojtjes dhe krizat e jashtme, duke përfshirë luftën e Izraelit në Gaza.

Në gusht, Von der Leyen tha se Europa po hartonte plane “të sakta” për të dërguar trupa në Ukrainë si pjesë e një force sigurie të pasluftës. Merz menjëherë e korrigjoi. Një plan i tillë nuk ekzistonte, “të paktën jo në Gjermani,” tha Merz. Dhe kjo as që ishte puna e saj, shtoi ai: “Bashkimi Europian nuk është përgjegjës për këtë,” i tha Kancelari transmetuesit Sat1.

Në mënyrë të ngjashme, Berlini po bën presion për të garantuar që qeveritë – dhe jo Brukseli – të kenë fjalën e fundit për të gjitha blerjet e armëve, ndërsa Europa derdh qindra miliarda në shpenzimet e reja ushtarake.

“Gjermania është e gatshme të marrë një rol udhëheqës,” shpalli në një propozim të fundit për të përshpejtuar projektet e përbashkëta të riarmatimit.

Është e rëndësishme të theksohet se propozimi erdhi pasi Von der Leyen hodhi idenë e një qasjeje më të përqendruar te Komisioni.

Merz dhe Von der Leyen gjithashtu mund të ndahen së shpejti për çështjen e Izraelit. Komisioni së fundmi propozoi t’i hiqen Izraelit privilegje të caktuara tregtare, një pozicion i vështirë për t’u mbështetur nga CDU-ja e Merz-it. Por Kancelari po përballet edhe me presion për të mbështetur masën nga Partia Social Demokrate, partneri i tij i vogël i koalicionit. Merz ka premtuar një vendim deri në samitin e krerëve të BE-së. Von der Leyen do jetë atje për të dëgjuar vendimin.

Kancelari do  përcaktojë më tej vizionin e tij për BE-në në një takim të kabinetit të martën dhe në një takim me presidentin francez Emmanuel Macron të premten.

Rivalë të vjetër

Merz dhe Von der Leyen mund të jenë të dy konservatorë gjermanë, por ata vijnë nga fraksione konkurruese të CDU-së. Megjithatë, dyshja ka krijuar një marrëdhënie pune të besueshme vitet e fundit, sipas zyrtarëve të lartë si në Berlin, ashtu edhe në Bruksel.

Pasi Merz u bë kreu i opozitës së Gjermanisë në vitin 2022, gjatë mandatit të Kancelarit të qendrës së majtë Olaf Scholz, ai filloi të fliste me Von der Leyen çdo javë, sipas një personi të njohur me dinamikën. Gjatë një takimi fiks të dielave, dy konservatorët bashkërendonin strategjitë politike.

Ky raport ka vijuar edhe gjatë kohës që Merz është në detyrë. Kur Kancelari i ri udhëtoi për në Bruksel tre ditë pasi mori pushtetin, ai dhe Von der Leyen përdorën formën joformale “du” (ti) me njëri-tjetrin në gjermanisht, kujtoi një zyrtar i BE-së i njohur me bisedën, duke shprehur habi duke pasur parasysh historinë politike të çiftit dhe mjedisin profesional.

Megjithatë, Merz po e përdorte udhëtimin e tij gjithashtu për të theksuar se çështjet e BE-së ishin thelbësore për axhendën e tij.

Kjo sinjalizoi një kthesë të mprehtë personaliteti krahasiar me Scholz. Ish-kancelari gjerman ishte i njohur për qëndrimin ulur në heshtje për orë të tëra kur krerët e BE-së mblidheshin në Bruksel. Një herë, një kryetar tjetër i BE-së madje e pyeti Scholz-in nëse donte të fliste.

“Jo” kundërshtoi Scholz.

Një zyrtar i afërt me Von der Leyen-in këmbënguli se ambiciet e Merz-it në të vërtetë e bëjnë BE-në më të fortë. BE-ja nuk mund të funksionojë në kapacitet të plotë pa drejtues kombëtarë si Merz që luajnë një rol të madh, argumentoi zyrtari.

“Të dy duhet të punojnë dorë për dore sepse Gjermania është tregu më i madh në Europë dhe kontribuuesi më i madh në buxhetin e BE-së,” tha David-Wilp.

Dhe Merz ende shpreh admirim për Von der Leyen, madje duke e nderuar atë ndërsa merrte Çmimin Charlemagne për pëparimin e Bashkimit Europian.

“E dashur Ursula, ti i jep Europës një zë në botë, një zë Europian,” tha ai.

Megjithatë, ajo që dëshiron Merz për Europën kërkon një zë më të ulët të Von der Leyen-it.

Europianët, argumentoi ai të premten, mendojnë se Brukseli “po ndërhyn gjithnjë e më shumë në jetën e përditshme të njerëzve me kompetenca që BE-ja thjesht nuk i ka.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani