Vendosni fjalën kyçe....

“Tani e mbrapa s’ju prek njeri me dorë” – SHBA-të zotohen të mbrojnë Katarin


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është zotuar përmes një urdhri ekzekutiv të garantojë sigurinë e Katarit dhe të konsiderojë çdo sulm ndaj shtetit të Gjirit si një kërcënim për “paqen dhe sigurinë e SHBA-së”.

Ky veprim vjen vetëm tre javë pasi Izraeli nisi një sulm me raketa në Doha, i cili shënjestroi udhëheqësit politikë të Hamasit dhe shkaktoi tronditje në të gjitha vendet e Gjirit të pasura me naftë, të cilat tradicionalisht e kanë parë Uashingtonin si garantuesin e tyre të sigurisë.

Katari u përfshi gjithashtu për një kohë të shkurtër në luftën 12-ditore që Izraeli nisi kundër Iranit në qershor. Teherani qëlloi një breshëri raketash në një bazë amerikane pranë Dohas në shenjë hakmarrjekje për bashkimin e Trump me Izraelin në bombardimin e vendeve kryesore bërthamore të Iranit.

Urdhri ekzekutiv thotë sa se SHBA-të do t’i përgjigjen çdo sulmi ndaj Katarit duke marrë të gjitha “masat ligjore dhe masa të tjera të përshtatshme – duke përfshirë ato diplomatike, ekonomike dhe, nëse është e nevojshme, ushtarake – për të mbrojtur interesat e Shteteve të Bashkuara dhe Katarit”.

Një aleat i hershëm i SHBA-së, shteti i vogël i Gjirit ka bazën më të madhe ushtarake të superfuqisë në rajon, ka investime të konsiderueshme në asete amerikane dhe është një eksportues kryesor i gazit natyror të lëngshëm. Katari po i bën presion Hamasit që të pranojë planin e Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza, të cilin presidenti e zbuloi të hënën.

Elliott Abrams, një ish-diplomat i lartë amerikan që i shërbeu Trump-it gjatë mandatit të tij të parë, e përshkroi urdhrin si një “hap tejet të pazakontë”.

Traktati mbrojtës me Katarin, është i llojit që Shtetet e Bashkuara kanë me Japoninë dhe Korenë e Jugut, ose i Nenit V të NATO-s. Por këto angazhime u bënë me traktat dhe u miratuan nga Senati”, tha Abrams.

Sulmi i Izraelit më 9 shtator, i cili goditi zyrën politike të Hamasit në një lagje biznesi dhe banimi në Doha, ngriti pyetje në Gjirin Persik në lidhje me angazhimin e sigurisë së SHBA-së ndaj aleatëve të saj arabë. Trump tha se ishte “shumë i pakënaqur me çdo aspekt” të sulmit, në një qortim të rrallë ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, shkruan FT.

I përcaktuar si një aleat i madh jashtë NATO-s nga ish-presidenti Joe Biden, Katari ka krijuar një rol për veten si ndërmjetës midis SHBA-së dhe kundërshtarëve, përfshirë Iranin dhe talebanët në Afganistan. Katari ka pritur zyrën politike të Hamasit për më shumë se një dekadë me bekimin e SHBA-së dhe ka luajtur një rol qendror në përpjekjet e ndërmjetësimit për t’i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis Izraelit dhe Hamasit.

Në një bisedë telefonike trepalëshe të organizuar nga Trump të hënën, Netanyahu i kërkoi falje kryeministrit të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman al-Thani, për sulmin ndaj Dohas dhe për shkeljen e sovranitetit të shtetit të Gjirit.

Dana Stroul, një ish-zyrtare e lartë e Pentagonit, tha se urdhri dërgoi një sinjal të fortë politik të angazhimit nga administrata Trump ndaj Katarit, ndërsa shërbeu gjithashtu si një paralajmërim për Izraelin.