
Një flotilë me rreth 50 anije dhe 500 aktivistë ndërkombëtarë, mes tyre edhe ambientalistja Greta Thunberg, është afruar të mërkurën në zonën detare pranë Gazës, ndërsa ushtria izraelite (IDF) ka paralajmëruar se do ta ndalojë hyrjen e tyre në brigjet palestineze.
Organizatorët thanë se janë në “zonë me rrezik të lartë” dhe raportuan për “aktivitet në rritje të dronëve” mbi flotilën, ndërsa disa anije të paidentifikuara, sipas tyre, kanë ndërprerë komunikimet dhe kanë manovruar rrezikshëm pranë dy prej anijeve kryesore, Alma dhe Sirius.
“Këto veprime i vunë pjesëmarrësit në rrezik serioz,” deklaruan ata, përcjell Ynet.
Flotila “Sumud”, e cila bart qytetarë nga mbi 40 vende dhe ndihma humanitare për Gazën, e përshkruan misionin si “paqësor dhe jo të dhunshëm”.
Organizatorët akuzuan Izraelin për “provokime të rrezikshme” dhe thanë se çdo ndalim apo sulm ndaj tyre do të ishte “krim lufte”.
IDF njoftoi se ka dërguar mesazhe drejtuesve të flotilës, përfshirë Greta Thunberg dhe disa deputetë ndërkombëtarë, duke i paralajmëruar se nuk do të lejohen të hyjnë në Gazë.
Ushtria izraelite ka ofruar mundësinë që anijet të ndalojnë në portin e Ashdodit, ku ngarkesa humanitare do të kontrollohet dhe më pas të dërgohet në Gaza, por aktivistët e kanë refuzuar këtë propozim.
Për operacionin, Izraeli ka angazhuar një njësi të posaçme të përbashkët mes IDF, Shërbimit të Sigurisë (Shin Bet), policisë dhe Ministrisë së Jashtme.
Rreth 600 policë janë mobilizuar për të pritur aktivistët në Ashdod, në rast se ata ndalohen me forcë. Ata që do të refuzojnë deportimin do të përballen me një proces të përshpejtuar gjyqësor.
Një nga aktivistët, Tiago Ávila, tha se publikoi pamje të një anijeje izraelite që iu afrua flotilës dhe, sipas tij, ndërpreu pajisjet e komunikimit. “Pavarësisht humbjes së pajisjeve elektronike, askush nuk është lënduar dhe ne po vazhdojmë,” u shpreh ai.
Kjo flotilë, e ndryshme nga tentativa e mëparshme me vetëm 12 aktivistë, përbën një sfidë të paprecedentë për autoritetet izraelite, duke rritur rrezikun e përshkallëzimit në një ditë simbolike si Yom Kippur.