Vendosni fjalën kyçe....

Sinisha Karan kandidat i Aleancës së Social-Demokratëve të Pavarur për president të Republikës Sërpska



Sinisha Karan do të jetë kandidati i Aleancës së Social-Demokratëve të Pavarur në zgjedhjet e parakohshme për president të Republikës Sërpska në Bosnje-Hercegovinë, ka njoftuar kryetari i partisë, Millorad Dodik, përcjell REL.

Dodik, ish-president i këtij entiteti serb, tha për Radio-Televizionin RS se do ta propozojnë Karanin para partnerëve të koalicionit si kandidat zyrtar për zgjedhjet që do të mbahen më 23 nëntor. Zgjedhjet janë thirrur pas revokimit të mandatit të Dodikut nga Gjykata e Bosnje-Hercegovinës, për shkak të mosbindjes ndaj vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.

Sinisha Karan është në listën e zezë të Departamentit amerikan të Thesarit për pjesëmarrje në organizimin e festave jokushtetuese të Republikës Sërpska. Ai është profesor i çështjeve kushtetuese dhe aktualisht mban postin e ministrit për Zhvillim Teknologjik dhe Shkencor në Qeverinë jokushtetuese të Republikës Sërpska.

Vendimi i Gjykatës ka pamundësuar Dodikun të mbajë pozita publike për gjashtë vitet e ardhshme, duke detyruar partinë e tij që të marrë pjesë në zgjedhje me një kandidat tjetër, ndryshe nga qëndrimi i mëparshëm kur kishin njoftuar se nuk do të kandidojnë.

Ndërkaq, partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike Serbe, ka njoftuar se kandidati i tyre do të jetë Branko Bllanusha, profesor i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike në Banjallukë.