Vendosni fjalën kyçe....

Trump zbulon se çdo t’u thotë udhëheqësve ushtarakë amerikanë në takimin në Virginia


Presidenti i SHBA, Donald Trump, deklaroi të dielën se do t’i thotë një takimi me gjeneralë dhe admiralë amerikanë në Quantico, Virginia, se ata janë udhëheqës të çmuar që duhet të jenë të fortë dhe të vendosur.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka thirrur për një takim në Quantico të martën të gjithë udhëheqësit më të lartë ushtarakë të SHBA-së nga e gjithë bota, një mbledhje e rrallë e këtij niveli në një vend të vetëm.

“Unë dua t’u them gjeneralëve se ne i duam ata, janë udhëheqës të çmuar, të jenë të fortë, të vendosur, të mençur dhe të dhembshur,” tha Trump në një intervistë për Reuters.

“E gjitha kjo lidhet me esprit de corps. Ka ardhur koha që dikush ta bëjë këtë,” shtoi ai.

Pjesëmarrja e Trumpit mund të lërë në hije Hegseth, i cili pritej të theksonte nevojën për të ndjekur një “etos luftëtari” në të gjithë ushtrinë dhe të trajtonte çështje të tjera.

SHBA ka trupa të shpërndara në mbarë botën, përfshirë Kore e Jugut, Japoni dhe Lindjen e Mesme, të komanduar nga gjeneralë dhe admiralë me grada dy, tre dhe katër yje.

Në pothuajse çdo fjalim publik, Hegseth flet për “etosin e luftëtarit” dhe nevojën që ushtria amerikane të ketë një mentalitet luftarak.

Më herët këtë muaj, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të riemërtuar Departamentin e Mbrojtjes në “Departamenti i Luftës”, duke iu rikthyer titullit që mbante deri pas Luftës së Dytë Botërore, kur zyrtarët kërkuan të theksonin rolin e Pentagonit në parandalimin e konflikteve.

Hegseth, një ish-prezantues i Fox News, ka lëvizur me shpejtësi për të riformësuar departamentin, duke shkarkuar gjeneralë dhe admiralë të lartë, në përpjekje për të zbatuar agjendën e sigurisë kombëtare të Trump dhe për të eliminuar nisma të diversitetit që ai i quan diskriminuese.

Zyrtarët kanë thënë për Reuters se aktiviteti pritet të zhvillohet në Universitetin e Korpusit të Marinës në Quantico, Virginia.

Shumë nga zyrtarët më të lartë, të cilët udhëtojnë me avionë ushtarakë amerikanë për arsye zyrtare, pritet të zbarkojnë në Joint Base Andrews në Maryland.

Nuk është e qartë pse mbledhja nuk mund të ishte zhvilluar virtualisht, ndërkohë që kostoja e transportit dhe sigurisë për një ngjarje të tillë pritet të arrijë të paktën disa miliona dollarë.