
Ngritja e projekteve rezidenciale, investimet publike, kryesisht në ndërtimin e rrugëve, turizmi, që po nxit si ndërtimin e hoteleve, komplekseve për banim, ashtu dhe me blerjen e pasurive të paluajtshme, kryesisht nga të huaj janë faktorët kryesorë që ndikojnë në tendencën e ndërtimit e pasurive të paluajtshme.
Ndërtimi është kthyer vitet e fundit në një kontribuues të rëndësishëm në performancën e vendit.
Gjithsesi, roli që kanë luajtur ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme në rritjen ekonomike ka rënë në 2024-n, në raport me vitin e mëparshëm, kur kontribuuan në gati gjysmën e zgjerimit ekonomik.
Sektori e nisi mirë pjesën e parë të vitit për t’u ngadalësuar më pas në gjysmën e dytë, sidomos në tremujorin e katërt.
Vlera e shtuar bruto në sektorin e ndërtimit në vitin 2024 ishte rreth 300 miliardë lekë (3 miliardë euro).
Që prej 2014-s, sektori i është rikthyer ciklit të zgjerimit dhe në vitin 2024 arriti në nivelin më të lartë historik në vlerë, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.
Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ndërtimi zë rreth 12% të ekonomisë, larg viteve të arta në 2001 – 2009, kur kjo peshë arriti deri në 19%, për shkak të rritjes me ritme më të shpejta të sektorëve të tjerë.
Ndërtimi ngadalësoi ritmet e rritjes në 2024-n. Sipas INSTAT, sektori u zgjerua me 4.5%, nga 5% vitin e mëparshëm dhe shumë larg ritmeve prej 15.2% që u konstatuan në vitin 2022.
Ky është ritmi më i ulët që nga 2020-a, kur ekonomia po vuante pasojat e pandemisë.
Ecuri më të mirë kishte aktiviteti i pasurive të paluajtshme, që u përmirësua me 4%, nga 2.8% vitin e mëparshëm.
Ndërsa sektori është ngadalësuar në tërësi, duket se ai po përqendrohet te kompanitë e mëdha, që kanë shënuar rritje më të lartë sesa mesatarja në 2024-n.
Numri i kompanive të ndërtimit dhe atyre të industrisë mbështetëse në listën e “Monitor 200” për vitin 2024, ishte 39, nga 43 vitin e mëparshëm.
Këto kompani qarkulluan rreth 200 miliardë lekë (2 miliardë euro) në vitin 2024, me rritje prej 10% në krahasim me vitin e mëparshëm. Zgjerimi ka ardhur si nga projektet e infrastrukturës, ashtu dhe ato rezidenciale, ku mbizotërojnë projektet në hoteleri e fshatra turistikë.
Subjektet e ndërtimit kanë luhatje të mëdha të aktivitetit, në varësi të projekteve inxhinierike ku janë të përfshira, apo të ciklit të shitjes së apartamenteve.
“Gener 2”, me aktivitet në ndërtimet inxhinierike, rezidenciale dhe menaxhimin e qendrave tregtare, ka shënuar rritje të ndjeshme në 2024-n duke kaluar në sipërmarrjen më të madhe të këtij segmenti në vend.
Të ardhurat u rritën me 73% në 16.3 miliardë lekë, e ndikuar nga zëri “shitje ndërtimi për të tretë”, sipas raportimeve në bilanc. Kompania është zgjeruar ndjeshëm në ndërtimet rezidenciale vitet e fundit, nëpërmjet ngritjes së disa komplekseve pranë zonës së Liqenit Artificial në kryeqytet.
Sipas raportit vjetor, rreth 90% e të ardhurave ka ardhur nga aktiviteti i ndërtimit dhe shitja e objekteve të banimit, ndërsa pjesa tjetër, nga qiratë e shërbimet në qendrat e biznesit dhe shitja e mallrave në qendrën tregtare “Coin”.
Një vit më parë, ky raport ishte 73%. Të ardhurat nga qendra “Coin” ishin rreth 1.4 miliardë lekë në 2024-n, pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë.
“Gjoka Konstruksion”, që vepron dhe si nënkontraktor i “Gjoka 87” në koncesionin për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, kaloi në të dytën më të madhe në segmentin e ndërtimeve civile, industriale e rezidenciale në vitin 2024.
Kompania raportoi të ardhura prej 10.6 miliardë lekësh, me tkurrje prej 2% në raport me vitin 2023, pas rritjes me 35% vitin e mëparshëm.
Sipas raportit të aktivitetit, për vitin 2024 dhe në vazhdim, shoqëria “Gjoka Konstruksion” ka punuar për zbatimin e kontratës për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit.
Gjithashtu, edhe me projekte të tjera: ndërtimi i tunelit të Llogorasë në seksionin rrugor Orikum-Himarë; ndërtimi i Ujësjellësit Rajonal burimi i Përroit të Lopës; hartimi i projektit dhe zbatimi i punimeve për ndërtimin e Godinës (seksioni B) në zonën Zhvillimore Kombinat; ndërtimi i Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti 6; Sistemim, asfaltim, rruga Ura e Cerenecit, Peshkopi, loti 3; zgjerimi i rrugës Elbasan – Qafë Thanë, Faza V; punime për ndërtimin e hidrocentralit Gojan; rehabilitimi i rrugës Fier – Kthesa e Patosit -Frataj etj.
“Shijaku” ishte edhe në vitin 2024 një ndër sipërmarrjet më të mëdha të ndërtimeve në vend. Të ardhurat e saj ishin rreth 8.2 miliardë lekë, me rënie 8.4%.
Kompania është zgjeruar vitet e fundit në sektorin e ndërtimit, hotelerisë dhe HEC-eve, si dhe përpunimit të materialeve të ndërtimit. Në pjesë të aktivitetit, kompania e ka në shitjen e skrapit. Kompania ka aktivitete dhe në eksporte, për të cilin thotë se ka rritje.
“Gjatë vitit 2024, të ardhurat nga shitjet e mallrave për eksport janë rritur në krahasim me vitet e kaluara, për shkak të zgjerimit të aktivitetit dhe mundësive të reja në treg dhe shfrytëzimit me eficiencë të burimeve (eksporti i mbetjeve industriale skrap hekuri).
Pra në të njëjtën periudhë është eksportuar skrapi dhe është importuar hekur ndërtimi”, thuhet në raportin e aktivitetit.
“Salillari” raportoi një qarkullim vjetor prej rreth 9 miliardë lekësh (kompania nuk ka dorëzuar bilanc). Aktiviteti kryesor i shoqërisë është i orientuar drejt ndërtimit të veprave të infrastrukturës rrugore, të fituara nga prokurime publike apo nga operatorë të tjerë të tregut, si dhe në prodhimin e materialeve të ndërtimit dhe kryerjen e shërbimeve të tjera si aktivitete dytësore.
“Alb-Star” deklaroi një qarkullim vjetor prej gati 5 miliardë lekësh, me rritje 10%. Nga dhjetori i vitit 2016, “Alb-Star” është pjesë e grupit holding “Finman”.
Sipas raportit, aktiviteti kryesor i shoqërisë është në fushën e ndërtimit, import-eksport i produkteve industriale, shitja me shumicë e ujit të pijshëm dhe industrial dhe shërbimet e transportit. Kompania raporton se numri i punonjësve ka zbritur në 291, nga 432 në vitin 2023.
“2T”, që ushtron aktivitetin në ndërtimin e veprave infrastrukturore si rrugë, kanalizime, rikonstruksione, ka më se dyfishuar të ardhurat në 4.9 miliardë lekë në 2024-n. Sipas raportit vjetor, “kjo rritje është rezultat i kontratave të reja të fituara dhe intensifikimit të punimeve në kantiere të ndryshme”.
“Gjikuria” raportoi të ardhura 4.3 miliardë lekë, me tkurrje vjetore prej 3.5%.
Sipas raportit të aktivitetit, gjatë vitit 2024 e në vazhdim, shoqëria ka realizuar projekte të ndryshme të financuara nga buxheti i shtetit dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe sipërmarrje në fushën e hotelerisë dhe turizmit, hotele dhe apartamente dhe ka shumë projekte të tjera në vazhdimësi.
“Rafealo 2002” deklaroi të ardhura prej 4.3 miliardë lekësh, me një tkurrje prej 1.7% me bazë vjetore. Shoqëria, sipas faqes së internetit, ka aktivitet në ndërtim, me projekte në Shëngjin, Kashar, Golem, Tiranë, Mal të Zi, transport, hidrocentrale, hoteleri e turizëm etj.
“Alb Building” deklaroi të ardhura 4 miliardë lekë, me zgjerim prej 16.2%. Kompania është përfshirë në disa projekte si segmenti rrugor Qukës – Qafë-Plloçë, zgjerimi i rrugës Elbasan – Qafë Thanë (faza I) si dhe projekte të tjera për ndërtime urash, rehabilitime të rrugëve, mbrojtje nga rrëshqitjet etj.
“Gjatë vitit, shoqëria ka zhvilluar aktivitet intensiv për pjesën e ndërtimit duke aktivizuar numër të konsiderueshëm personeli gjatë gjithë periudhës kontabël”, thuhet në raportin e aktivitetit.
Për të pestin vit radhazi, në listën e më të mëdhave është “Alesio-2014”, me aktivitet në ndërtimin dhe tregtimin e betonit, që vijon të performojë, ndonëse aktiviteti i saj është sekuestruar në gusht 2022 nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Kompania, e cila furnizon me beton shoqëritë e ndërtimit, ka rritur ndjeshëm qarkullimin vjetor në 2024-n, me 42%, duke deklaruar të ardhura prej 3.8 miliardë lekësh.
Sipas përshkrimit në raportet e dorëzua në QKB, kompania është zotëruese e fabrikës Asfalto-Betoni, dy impianteve të betonit, gurore inertesh dhe gurore gipsi, operon në fushën e ndërtimit, si ndërtim-rikonstruktim dhe mirëmbajtje të objekteve civile, infrastrukturore, industriale dhe energjetike.
“G.P.G COMPANY”, që merret kryesisht me punë të lidhura me fonde publike, në ndërtimin e rrugëve në të gjithë territorin e Shqipërisë, ra me 7.3% në 3.45 miliardë lekë.
Sipas raportit të aktivitetit gjatë vitit 2024 ka pasur një performancë më të ulët krahasuar me vitin 2023, në drejtim të realizimit të të ardhurave dhe ulje për fitimin neto.
“Shoqëri e Thjeshtë INTEKAR – ASL” është për të tretin vit radhazi në listën e më të mëdhenjve të ndërtimit, me të ardhura prej 3.3 miliardë lekësh, me rënie 54% me bazë vjetore.
Kompania ka fituar tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogorasë.
“Fusha sh.p.k.” raportoi të ardhura prej gati 2.9 miliardë lekësh, me rënie 22% në raport me vitin e mëparshëm. Sipas raportit vjetor, “gjatë vitit financiar të mbyllur më 31 dhjetor 2024, shoqëria ka ushtruar aktivitetin në fushën e ndërtimit, pastrimit, shitjes së pasurive të paluajtshme dhe dhënies me qira të tyre.
Aktiviteti është shtrirë kryesisht në Tiranë, Vlorë, Berat, Gjirokastër, Durrës etj., i cili lidhet kryesisht me aktivitetin e ndërtimit të objekteve civile dhe infrastrukturës rrugore.
Krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat kanë pësuar rënie për shkak të përfundimit të kontratës së pastrimit të qytetit të Tiranës, e cila ka qenë e aplikuar në vitin financiar të mbyllur më 31 dhjetor 2023”.
“INC S.P.A.”, kompania italiane që është e angazhuar në ndërtimin e hekurudhës Tiranë – Rinas – Durrës, raportoi një rënie të të ardhurave me 27% në 2024-n, duke zbritur në 2.4 miliardë lekë.
“Geci” ka deklaruar 2 miliardë lekë qarkullim vjetor, me rënie 14.5% duke dalë nga lista e “Monitor 200”. Një pjesë të aktivitetit, kompania e ka të lidhur me aktivitetin e Hotel Tirana.
Sipas raportit të aktivitetit, hoteleria ka sjellë 741 milionë lekë të ardhura, ose 37% të të ardhurave.
“Bami Holding” është një hyrje e re nga sektorin i ndërtimit në listën e “Monitor” 200, pas rritjes së shpejtë të aktivitetit në 2024-n. Kompania raportoi të ardhura prej 2.64 miliardë lekësh, me një zgjerim vjetor prej 37.5%.
E themeluar në vitin 1999, “Bami Holding” sh.p.k. është e specializuar në fushën e ndërtimeve të rrugëve dhe autostradave, civile dhe industriale, sipas raportit të aktivitetit.
“Elmazaj Konstruksion” është një tjetër kompani që po i afrohet listës së “Monitor 200”, duke u pozicionuar në vendin e 201. Shoqëria raportoi të ardhura prej 2.4 miliardë lekësh, me një zgjerim prej 82% me bazë vjetore. Sipas faqes së internetit, kompania ka kontrata të shumta për punime inxhinierike në fushën e punëve publike.
Sektori rezidencial, më mirë po ecën bregdeti
Vitet e fundit, sektori i ndërtimeve rezidenciale njohu rritje të vazhdueshme, i nxitur nga shtimi i ndjeshëm i lejeve të ndërtimit, kanalizimi i parave informale në blerjen e pasurive të paluajtshme, si dhe blerjet nga të huajt, sidomos në zonat turistike.
Shtrenjtimi i vazhdueshëm i çmimeve të apartamenteve është një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e qarkullimit vjetor të këtij segmenti.
Shtimi i blerjeve të pasurive të paluajtshme nga të huajt është një faktor tjetër që po vazhdon të nxisë sektorin.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në vitin 2024, investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën vlerën rekord të 379 milionë eurove, në rritje me 16.6% me bazë vjetore.
Pasuritë e paluajtshme sollën më shumë se 25% të vlerës së përgjithshme të Investimeve të Huaja Direkte për vitin e kaluar, nga 3-5% që ishte kjo peshë një dekadë më parë.
Të huajt po tërhiqen veçanërisht nga pasuritë e paluajtshme në bregdet, ku çmimet janë ende më të lira sesa në vendet e tjera të rajonit (Mal i Zi, apo Kroaci).
Interesi i lartë i të huajve për Shqipërinë po nxit dhe zgjerimin e investimeve dhe shitjeve në hoteleri e turizëm, që nga viti 2018.
Investitorët janë kryesisht të interesuar në projektet e vilave, të cilat kanë një kthim shumë më të lartë dhe të shpejtë sesa hoteleria.
Ndryshe nga viti 2023, kur një sërë projektesh rezidenciale raportuan rënie, në 2024-n është shënuar rritje e fortë e më të mëdhenjve, sidomos e projekteve që po zhvillohen në bregdet.
“Green Coast”, pjesë e grupit BALFIN që po ndërton kompleksin turistik të vilave me të njëjtin emër në Jug, ishte shoqëria më e madhe për ndërtimet rezidenciale në vend, me të ardhura prej 8.1 miliardë lekësh, me zgjerim vjetor 14.6%.
Shoqëria zhvillon projekte elitare në zonën e Jugut, me ndërtimin e fshatrave turistikë dhe hotelerisë. Kompania është investitore dhe ndërtimin e kryen përmes nënkontraktorëve.
Sipas raportit të aktivitetit, projektet kryesore janë “Green Coast Resort and Residences”, që po ndërtohet në brigjet e detit Jon; “Green Coast Resort Village” që do të shtrihet në afro 500,000 m² tokë me më shumë se 290,000 m² ndërtim dhe “Hotel MGallery”, brand me 5 yje nën markën “MGallery”, me 118 dhoma, mbi 16,000 m² ndërtim, në një truall prej mbi 8,000 m².
“BALFIN Construction” (ish-Mane TCI), edhe kjo pjesë e grupit BALFIN, e fokusuar në ndërtim, raportoi të ardhura prej rreth 4.6 miliardë lekësh, me rënie 9.1% me bazë vjetore.
Sipas raportit vjetor, “e themeluar në vitin 2001, ‘BALFIN Construction’ është e specializuar në fushën e ndërtimeve civile dhe industriale, si: qendra tregtare, godina rezidenciale, qendra sociale e kulturore dhe ndërtime infrastrukturore”.
Ajo ka ndërtuar tre projektet e godinave “Ambasador” në Tiranë, “Park Gate”, “Rolling Hills Luxury Residences”, “Green Coast Resort and Residencies” etj. Kompania thotë në raportin vjetor se faktorët kryesorë që ndikojnë këtë industri janë:
Mungesa e fuqisë punëtore dhe produktiviteti i tyre; rreziqet e shëndetit dhe sigurisë në punë; mospërmbushja e kushteve nga nënkontraktorët; ndryshimet e kërkesave të klientëve; rritja e kostos së materialeve të ndërtimit; ekspozimi ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit në monedhën funksionale.
“NOVA Construction 2012” është një nga subjektet ndërtuese rezidenciale me rritjen më të fortë në tre vitet e fundit. Në 2024-n, të ardhurat e saj arritën në 5.7 miliardë lekë, me zgjerim vjetor prej 59%, duke u renditur e treta më e madhja në vend në segmentin rezidencial.
Sipas raportit vjetor, rreth 40% e të ardhurave ishin nga aktiviteti i ndërtimit dhe gati 60% nga aktiviteti investues (të ardhurat nga kontratat me klientët).
Vitin e fundit, kjo shoqëri është përfshirë në disa projekte të mëdha rezidenciale në vend dhe pritet të fillojë ndërtimin e “Malit të Tiranës”, kullës pas Teatrit të Operës dhe Baletit në kryeqytet.
“Kastrati Construction” vijoi rritjen e fortë të aktivitetit me 57.5%, në 4.2 miliardë lekë. Një ndër projektet më të mëdha të shoqërisë është investimi dhe ndërtimi në një godinë shumëfunksionale “Down Town One”, me 37 kate mbi tokë dhe 5 kate nën tokë, në bulevardin “Zhan Dárk”.
“Agi Kons” raportoi të ardhura prej 3.9 miliardë lekësh, me rritje vjetore 16%. Pjesa më e madhe e të ardhurave të shoqërisë vijnë nga punimet e ndërtimit për të tretë, sipas bilancit, ndërsa rritja është ndikuar kryesisht nga “të ardhura nga punime ndërtimi të padorëzuara klientit”.
“Concord Investment” ka hyrë sërish në listën e më të mëdhenjve të ndërtimit, pas rritjes së të ardhurave me 374%, në 3.4 miliardë lekë.
Sipas raportit të aktivitetit, “Shoqëria ‘Concord Investment’ sh.p.k. është investitore në një sërë projektesh të rëndësishme në lëmin e pasurive të paluajtshme, dhe çka është më e rëndësishme është novatore në fushën e investimit në shërbimet e hoteleri-turizëm duke qenë ndër të parat që kanë marrë statusin e veçantë të investitorit në hotelet me 5 yje.
Ky ka qenë ndër objektivat kryesorë të shoqërisë për vitin 2024 dhe është arritur falë investimeve të shoqërisë dhe partnerëve të saj në ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje ‘San Pietro’ në Gjirin e Lalëzit.
Investimi në këtë projekt ka pasur ecuri mjaft të kënaqshme për vitin 2024 dhe nuk është i vetmi për shoqërinë. Shoqëria ka përmbyllur investimin në qendrën rezidenciale, kompleksi ‘Fiori di Bosco’ në rrugën ‘Don Bosko’.
Kompania po investon në ndërtimin e një kompleksi ambientesh magazinimi në Kashar, i pari i llojit të tij në Tiranë. Faza e parë është përmbyllur, dhe ndërkohë kanë filluar dhe vijuar punimet për fazën e dytë të strukturave magazinore”.
“Kontakt sh.p.k.” deklaroi një qarkullim vjetor prej 3.2 miliardë lekësh, me rritje prej 6.6% në raport me vitin e kaluar.
(Të ardhurat nga shitjet ishin rreth 1.4 miliardë lekë dhe 1.8 miliardë lekë nga ndryshimi në inventarin e mallrave dhe prodhimit në proces, që janë objekte në zhvillim dhe njësitë e hipotekuara në proces shitje).
Sipas faqes së internetit, kompania ka disa projekte banesash me markën “Mangalem”, po ndërton kompleksin e vilave “Abi”, në periferi të Tiranës, si dhe ka nisur rezervimet për projektin “Pyjet e Drilonit”, që është shumë pranë Parkut të Drilonit, në Pogradec.
“Park Construction Albania” ka vijuar rritjen për të tretin vit radhazi, me të ardhurat që arritën në 3 miliardë lekë, me zgjerim prej 10%.
Por, kompania raporton se ka pasur disa vështirësi, kryesisht inflacioni (si kudo në rajon), por edhe një tkurrje në aktivitetin industrial dhe të ndërtimit në tremujorin e dytë të vitit 2024 pas efektit që dhanë çmimet më të larta të importit të materialeve të prodhimit dhe ndërprerjet globale të zinxhirit të furnizimit.
Për vitin 2024, shoqëria përfundoi një proces privatizimi të një trualli me sipërfaqe rreth 28,000 m², si dhe filloi ndërtimin e një objekti të ri.
Në raport parashikohet, që përfitueshmëria e shoqërisë për vitin 2025 pritet të shënojë një rritje të lartë, kjo si pasojë e rritjes së shitjeve, si dhe ndërtimeve të reja që pritet të ndërtohen.
“Arlis Ndërtim” raportoi në 2024-n të ardhura prej 2.1 miliardë lekësh, me një rënie prej 5.2% me bazë vjetore. Kompania po zhvillon projekte të shumta në Bashkinë e Tiranës, sipas faqes së saj të internetit.
“O R I O N”, me aktivitet në ndërtime civile e turistike, raportoi të ardhura prej rreth 1.5 miliardë lekësh. Sipas burimeve zyrtare, kompania është e përfshirë në një sërë projektesh rezidenciale e komplekse banimi e vila, por së fundi po diversifikohet dhe në turizëm.
“Durrës Marina sh.a.”, shoqëria që po menaxhon projektin strategjik të Marinës së Jahteve në Durrës, prej dy vitesh ka filluar shitjen e apartamenteve, të cilat në bilanc i deklaron në zërin “Detyrime nga kontratat me klientë”.
Megjithëse kompania ka raportuar të ardhura zero, sepse “të ardhurat do të njihen në momentin e dorëzimit të njësive të banimit, fillimisht në vitin 2025”, tatimet e rendisin atë në listën e shoqërive më të mëdha.
Në dy vjet, zëri i detyrimeve nga kontratat me klientët ka arritur në 4.17 miliardë lekë, përkatësisht 1.87 miliardë lekë në vitin 2023 dhe 2.3 miliardë lekë në vitin 2024.
Shoqëria është pajisur me Status të “Investim/Investitor Strategjik” për projektin e investimit “Durrës Yachts & Marina”, për një periudhë 20-vjeçare.
Gjithsej, parashikohet ndërtimi i gati 13 mijë apartamenteve (4 mijë në fazën e parë dhe rreth 8,600 në fazën e dytë), ndërsa do të këtë vetëm pak hotele me më shumë se 850 dhoma.
Parashikohen vetëm 280 vende për jahte. 93% e sipërfaqes së ndërtimit të parashikuar do të jetë rezidenciale dhe nga 3.5% përkatësisht do të jenë hotele dhe sipërfaqe tregtare.
Pala shqiptare ka kontribuar me tokën ku do të ndërtohet kompleksi rezidencial “Durrës Marina”.
Përveç ofrimit të truallit, qeveria shqiptare do të çlirojë kompaninë nga detyrimi për pagesën e taksës së ndikimit të infrastrukturës dhe fondit të strehimit social, që vlerësohen në rreth 7% të vlerës së parashikuar të shitjeve.
Bien të ardhurat e prodhuesve të çimentos
Ndryshe nga shoqëritë e përqendruara në ndërtim, bizneset që operojnë në industrinë e çimentos kanë raportuar rënie në pjesën më të madhe të tyre, teksa rritja e konsumit ka qenë e dobët, kryesisht nga banesat individuale.
Ulja e çmimeve të shitjes është një tjetër faktor që ka ndikuar në këtë tendencë.
Sipas të dhënave nga “Colacem Albania”, në vitin 2024, sektori i çimentos regjistroi nivele konsumi rreth 1.7 milionë tonë, një rritje prej 3% krahasuar me vitin 2023.
Rritja lidhet me ecurinë e mirë të sektorit të ndërtimit për shkak të rindërtimit pas tërmetit, shitjet e pasurive të paluajtshme për banesa private, rimëkëmbjen e fortë të punëve publike dhe në fund, investimet e huaja në sektorin e turizmit.
Tremujori i fundit ka dhënë shenja të stabilizimit. Importet e çimentos janë ulur duke arritur në 196 mijë tonë, ndërkohë eksportet janë rritur me 11.9%, e përkthyer në 112 mijë tonë.
“Antea Cement”, pjesë e grupit “TITAN” raportoi një qarkullim vjetor prej 9.8 miliardë lekësh në 2024-n, me një rënie prej 18%, pas tkurrjes prej 2% vitin e mëparshëm.
Sipas raportit të aktivitetit, rënia lidhet kryesisht me tkurrjen e vëllimeve të shitjeve dhe uljen e çmimeve të shitjes, të shkaktuara nga konkurrenca dhe reduktimi i kostove të lëndëve të para.
Aktivitetet e eksportit të shoqërisë mbetën të qëndrueshme duke përbërë rreth 28% të shitjeve totale, që është e pandryshuar nga një vit më parë.
Tregjet kryesore të eksportit mbeten vendet fqinje të Shqipërisë, përfshirë Italinë dhe Kosovën.
“Antea Cement” ka një kapacitet prodhimi prej 1.4 milionë tonësh çimento në vit dhe 3.300 tonë klinker në ditë, sipas raportit të vitit 2023. CEO-n i TITAN Albania, z. Dimitris Dimou sektori i ndërtimit po kalon një transformim të thellë.
“Ndryshimet klimatike kërkojnë veprim urgjent, pasi prodhimi i çimentos përbën rreth 7% të emetimeve globale të CO₂.
Në të njëjtën kohë, digjitalizimi po ndryshon mënyrën se si projektojmë, ndërtojmë dhe operojmë, ndërsa shoqëria pret që kompanitë të sjellin vlerë në mënyrë të përgjegjshme.
Këto sfida përforcohen edhe nga paqendrueshmëria e energjisë dhe pasiguritë gjeopolitike, të cilat komplikojnë kostot dhe zinxhirët e furnizimit”.
“Fushë-Krujë Cement Factory” raportoi të ardhura rreth 7.2 miliardë lekë, sipas të dhënave indirekte nga renditja e Tatimeve (kompania nuk ka dorëzuar bilancin e 2022 – 2024).
“Colacem Albania” raportoi të ardhura prej 3.1 miliardë lekësh, me rënie prej 10.6% në 2024-n. Kjo fabrikë aktualisht ka një kapacitet prodhues prej rreth 350,000 tonësh çimento në vit dhe e ka filluar prodhimin në vitin 2013.
Sipas raportit të aktivitetit, “në qershor të vitit 2021, ‘Colacem Albania’ filloi ndërtimin e një siloje klinkeri me një diametër prej 40 m dhe kapacitet magazinimi prej afërsisht 70,000 tonë produkte gjysmë të gatshme.
Deri më datë 31.12.2024, investimi total është afërsisht 3.9 milionë euro. Procesi i ndërtimit do të përfundojë brenda vitit 2025 dhe kostoja totale e investimit do të jetë afërsisht 4.7 milionë euro.
Ky investim synon të inovojë asetet e kompanisë për të mbrojtur mjedisin, si në aspektin e sigurisë në punë, ashtu edhe të kursimit të energjisë, gjithashtu përmes automatizimit dhe instalimit të filtrave për heqjen e pluhurit të ajrit të tërhequr në fabrikë, gjithmonë në përputhje të rreptë me rregulloret aktuale për sa u përket emetimeve në atmosferë”.
“Berdica Cement” është për të tretin vit radhazi në listën e “Monitor 200”, por nuk është prodhuese direkte.
Të ardhurat u rritën ndjeshëm me 61%, në 5.1 miliardë lekë në vitin 2024. Kompania ka aktivitet në distribucionin e ingredientëve dhe aditivëve për industrinë e materialeve të ndërtimit në Shqipëri dhe Kosovë.
Të ardhurat, sipas raportit të aktivitetit, gjenerohen nga shitja e mallrave të ndryshëm industrialë të përdorur në ndërtim si çimento, gëlqere, gur kuarci, rezinë dhe nga shërbimet e transportit. Për vitin 2024, një hov të madh zhvillimi ka dhënë futja në treg e çimentos gri, si një produkt risi, bazuar në raportin e aktivitetit.
Kompania ka rritur dhe peshën e tregut në Shqipëri e Kosovë.
Ngadalësohet edhe industria mbështetëse
Prej disa vitesh, kompanitë e segmentit të materialeve hidrosanitare, të ndërtimit e mobilieve kishin njohur rritje të shpejtë dyshifrore.
Por, në 2023 – 2024, segmenti ka shënuar ngadalësim. Operatorët pohojnë se kërkesa është e lartë sidomos nga projektet e lidhura me turizmin, por ka rënë kërkesa e familjeve, që ata e lidhin me tendencën e emigracionit.
Operatori më i madh në treg është “Brunes”, me aktivitet në tregtimin e materialeve të ndërtimit, qeramikë, hidrosanitare dhe mobilie, që ka parë zgjerim të të ardhurave me 7%, në rreth 5.8 miliardë lekë në 2024-n.
“Aktualisht ‘Brunes’ ka një aparat shpërndarje që mbulon të gjithë Shqipërinë me 8 pika shitje në qytetet më të mëdha të vendit.
Tregu ku ne operojmë ka mundësi akoma më shumë për rritje dhe për këtë arsye, ne po punojmë në zgjerimin e gamës së produkteve si dhe në trajtimin sa më cilësor te klienti”, thuhet në raportin e aktivitetit.
Raporti thekson se Shqipëria është një vend i sigurt për operimin e biznesit, por karakterizohet shpeshherë nga tensione politike, të cilat sjellin paqartësi dhe pasiguri për operatorët e biznesit, si dhe vetë konsumatorët.
Tensionet politike shpeshherë shoqërohen me ndryshime në legjislacionin tatimor, duke e bërë të vështirë për operatorët e biznesit të përditësohen dhe të implementojnë me përpikëri të gjitha ndryshimet.
“Billa” raportoi të ardhura prej 3.4 miliardë lekësh, me rënie prej 5.5% me bazë vjetore.
Në raportin e aktivitetit, si faktor kryesor për këtë rënie për të dytin vit radhazi përmendet zhvlerësimi i Euros në raport me Lekun.
“Duke qenë se një pjesë e konsiderueshme e shitjeve kryhet në eksport, përkthimi i tyre në Lek është kryer sipas kursit ditor dhe kjo ka shkaktuar zhvlerësimin e shitjeve të paraqitura në monedhën vendase”.
Që nga viti 2007, “Billa Albania” është distributori më i madh i pllakave në Ballkan. Kompania ka ekskluzivitetin e prodhuesve më të mëdhenj të pllakave në Spanjë, Itali, Turqi etj.
Në vazhdim të veprimtarisë së saj, shoqëria synon të ruajë aktivitetin ekzistues, të zgjerojë më tej praninë në tregjet ndërkombëtare përmes rritjes së eksporteve dhe përthithjes së klientëve të rinj në filialet jashtë vendit.
“Haki Sinani” kishte të ardhura prej 3.9 miliardë lekësh, me rritje 6.8% me bazë vjetore. “Rritja do të vijojë me ritme të larta për vitin 2025 e në vazhdim. Kompania ka planifikuar investime në aktivet e saj afatgjata materiale për të shfrytëzuar sa më mirë burimet e krijuara nga rezervat dhe fitimi i këtij viti.
Në këtë mënyrë do të krijojmë bazën e duhur për mbështetjen e zgjerimit të vazhdueshëm të aktivitetit tonë për vitet e ardhshme”, vlerësohet në raportin e aktivitetit.
DAST (Delta Adhesive Structural Tech) kishte të ardhura prej rreth 3.8 miliardë lekësh, me tkurrje 7.7% me bazë vjetore.
Gjatë vitit 2024 shoqëria është angazhuar kryesisht në realizimin e disa kontratave për tregtim me shumicë e me pakicë të produkteve prodhime llaçi, përgatitje tullash, pajisje hidrosanitare me klientët kryesorë, sipas raportit të aktivitetit.
DELTA (tregti pllakash dhe pajisjesh hidrosanitare) kishte rritje të ardhurash me 6.3%, në 2.7 miliardë lekë.
Rriten prodhuesit e aluminit
Segmenti i prodhimit të profileve të aluminit, pas rënies në vitin 2023 i është rikthyer rritjes në 2024-n.
“Everest”, me aktivitet në prodhimin e profileve të aluminit, raportoi të ardhura prej 6.9 miliardë lekësh, me zgjerim të fortë prej 70% në krahasim me vitin 2023. Sipas raportit të aktivitetit, rreth 52% e të ardhurave janë siguruar nga shitja e produkteve të aluminit dhe pjesa tjetër nga aktiviteti i ndërtimit.
“Duke pasur parasysh kapacitetet tregtare, që shoqëria ka në dispozicion, volumi i të ardhurave të realizuara nga aktiviteti i shoqërisë, për ne konsiderohet i kënaqshëm.
Shoqëria aktualisht ka rrjet të shpërndarjes së produkteve brenda gjithë territorit të vendit”, thuhet në raport.
“Nga ecuria e deritanishme dhe nga kontratat që kemi në proces dhe të lidhura rishtas, ne parashikojmë që volumi i të ardhurave të jetë në nivelin e vitit 2024 dhe treguesit ekonomikë e financiarë do të përmirësohen”.
Prodhuesi i profileve të aluminit, “Alumil”, raportoi të ardhura prej 2.8 gati miliardë lekësh duke shënuar rënie prej 4.1% me bazë vjetore. Sipas raportit të aktivitetit, shoqëria është e angazhuar në shitjen e profileve të aluminit të prodhuara apo dhe rishitja e profileve të blera te klientët e saj.
Kompania është e angazhuar dhe në shitjen e skrapit industrial të krijuar nga procesi i prodhimit te shoqëria e saj mëmë, “Alumil” S.A.
Materialet elektrike
Segmenti i materialeve elektrike ndoqi ciklin e ndërtimit duke shënuar rritje të ndjeshme për disa vite radhazi. Në vitin 2024, pjesa më e madhe e operatorëve në këtë segment kanë shënuar rritje të aktivitetit.
“4 A-M”, më e madhja në këtë segment, me fokus punime elektrike, tregtim me shumicë e pakicë të materialeve elektrike, rezultoi me qarkullim vjetor 5 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 6.8%.
“Albaelettrica” raportoi të ardhura 3.5 miliardë lekë, me rënie 10%. Sipas faqes zyrtare, “Albaelettrica” është specializuar në tregtimin me shumicë e pakicë të materialeve elektrike, civile, industriale, si dhe projektimin dhe instalimin e tyre që prej vitit 1993.
“Gjatë vitit 2024 ‘Albaelettrica’ ka mbajtur nivelin e aktivitetit në vlerat e pritshme. Treguesit financiarë janë të kënaqshëm, duke marrë parasysh situatën në vend dhe faktorët makro e mikroekonomikë”, thuhet në raportin e aktivitetit.
“ITE GROUP”, me aktivitet në import-eksport, materiale elektrike, renditet në listën e “Monitor 200” për të tretin vit radhazi. Të ardhurat në vitin 2024 ishin 3.7 miliardë lekë, me një rritje të fortë prej gati 50% në krahasim me vitin 2023.
Në rritjen e të ardhurave kanë ndikuar investimet që po bëhen në jugperëndim të vendit dhe po ashtu, edhe zhvillimet që po bëhen në parqet fotovoltaike, ndonëse dhe kostot janë rritur, duke ndikuar në tkurrjen e fitimeve.
Sipas raportit të aktivitetit, për vitin 2025, Grupi ITE synon të ruajë trendin e rritjes së qëndrueshme duke konsoliduar pozicionin në tregun vendas dhe rajonal.
Pritshmëritë janë të fokusuara në: zgjerimin e portofolit të projekteve në sektorët e inxhinierisë, energjisë dhe teknologjisë; rritjen e kapaciteteve operacionale dhe përmirësimin e efikasitetit të brendshëm; investime të moderuara në teknologji dhe zhvillim të burimeve njerëzore.
“Sali Elektrik” deklaroi një xhiro prej 2.4 miliardë lekësh, me rritje prej 9%. Sipas faqes së saj të internetit, “kompania ‘Sali Elektrik’ u themelua në vitin 1996 dhe ka një përvojë mbi 25-vjeçare në sektorin e tregtisë dhe shpërndarjes së materialeve elektrike dhe të ndriçimit”.
“Sali Elektrik” ka në total katër magazina në Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë, si dhe një rrjet të gjerë përfaqësuesish në të gjithë Shqipërinë./Monitor