
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka theksuar sot angazhimin e vazhdueshëm të administratës amerikane për të forcuar luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, në bashkëpunim me Shqipërinë.
Në një deklaratë të shpërndarë në rrjetet sociale, ambasada bëri të ditur se e Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, zhvilloi takimin e saj të parë zyrtar me ministren e re të Punëve të Brendshme, Albana Koçiu.
Në fokus të diskutimit ishte çmontimi i rrjeteve kriminale dhe financiare të paligjshme që përbëjnë kërcënim të përbashkët për të dy vendet.
“Sot, e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn theksoi edhe një herë përkushtimin e qartë të Presidentit Trump në zhdukjen e karteleve dhe grupeve kriminale ndërkombëtare gjatë takimit të saj të parë me Ministren e re të Punëve të Brendshme Albana Koçiu,” thuhet në njoftimin e ambasadës.
VanHorn dhe Koçiu ranë dakord për vijimin e bashkëpunimit të ngushtë operacional e hetimor mes institucioneve të sigurisë së të dy vendeve, duke nënvizuar se ky partneritet është një garanci më shumë për ta bërë Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara më të sigurta për qytetarët e tyre.