
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi dje nga New York-u, ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, se Shtetet e Bashkuara i kanë shtyrë sanksionet ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS)edhe për katër ditë të tjera, ndërsa ato do të hyjnë në fuqi më 1 tetor.
Kompania NIS përfundoi në listën e sanksioneve në fillim të këtij viti për shkak të pronësisë shumicë ruse në kompani – një marrëveshje që daton që nga viti 2008. Sipas raportimeve të European Western Balkans, Rusia ka refuzuar të shesë pjesë të aksioneve, çka do të mundësonte shmangien e sanksioneve.
Zbatimi i plotë i sanksioneve është shtyrë gjashtë herë këtë vit, në bazë të licencave të veçanta të lëshuara nga OFAC, zyra për kontrollin e aseteve të huaja pranë Departamentit Amerikan të Thesarit.
Duke folur nga New York-u, Vuçiç tha se Serbia është thjesht një dëm kolateral i marrëdhënieve të tensionuara mes SHBA-së, Perëndimit dhe Rusisë.
“Do të paguajmë një çmim të lartë, sepse rusët janë pronarë shumicë të NIS-it. Të jem i qartë për qytetarët – kemi qenë jashtëzakonisht korrektë si me partnerët rusë, ashtu edhe me ata amerikanë. Do të përpiqemi të mbetemi të tillë, por njerëzit duhet ta kuptojnë që do të paguajmë një çmim shumë të lartë,” – deklaroi Vuçiç.
Ai theksoi se Serbia ka rezerva për periudhën e ardhshme, por paralajmëroi probleme serioze me pagesën e pagave për punonjësit e NIS-it dhe për realizimin e transaksioneve, pasi asnjë bankë nuk do të dëshirojë të bashkëpunojë me një kompani nën sanksione amerikane.
“Për momentin nuk shoh ndonjë zgjidhje. Çfarëdo që është ofruar, pala ruse nuk e pranon. Çfarëdo që është propozuar për të shtyrë sanksionet, amerikanët nuk e pranojnë. Çfarë të bëj, t’u bërtas rusëve dhe amerikanëve? Ne jemi të vegjël, nuk ka kuptim, por duhet të siguroj naftë për popullin,” – shtoi presidenti serb.
Kompania NIS deklaroi sot se aktualisht ka rezerva të mjaftueshme të naftës së papërpunuar për përpunim dhe sasi të mjaftueshme të produkteve të naftës.
Në një deklaratë zyrtare, kompania bëri të ditur se vazhdon bashkëpunimin me Departamentin Amerikan të Thesaritpër të kërkuar heqjen nga lista e sanksioneve ose së paku një zgjatje të licencës aktuale, dhe se është duke bashkëpunuar edhe me aksionarët për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar.
“NIS respekton ligjet e Serbisë dhe të të gjitha vendeve ku operon, dhe aktivitetet tona nuk kanë kontribuar në vendosjen e sanksioneve që tani rrezikojnë funksionimin e kompanisë dhe stabilitetin social të mbi 13,000 punonjësve,” – thuhet në deklaratë.
Mbrëmjen e kaluar, kompania kroate Janaf, furnizuesi i naftës së papërpunuar për NIS-in, bëri gjithashtu një deklaratë.
Nëse sanksionet hyjnë në fuqi, Janaf do të humbasë një pjesë të madhe të të ardhurave të saj. Kompania njoftoi se ka marrë tashmë një licencë që lejon vazhdimin e transportit të naftës për NIS-in deri më 1 tetor 2025, por në ditët në vijim do të kërkojë zgjatje të kësaj licence nga OFAC, me ndihmën e avokatëve amerikanë dhe Qeverisë së Kroacisë.
“Në ditët në vijim, do të kontaktojmë Zyrën Amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) përmes përfaqësuesit tonë ligjor në SHBA, me mbështetjen e Qeverisë së Kroacisë,” – njoftoi kompania “Janaf”, sipas raportimit të Index.hr.