Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet në Lezhë i kërkuari për grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash



Policia e Lezhës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Member”, duke arrestuar një shtetas të shpallur në kërkim për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.

I arrestuari është Fredi Pali, 36 vjeç, banues në Lezhë, i cili u kap nga forcat policore në zonën e Ishull Shëngjinit. Operacioni u zhvillua pas një hetimi të thelluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, ndaj 36-vjeçarit ishte lëshuar një urdhër arresti nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), më datë 11 prill 2023. Gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Fredi Pali akuzohet për veprat penale:

  • “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal;

  • “Grupi i strukturuar kriminal”;

  • “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”.

Sipas hetimeve, ai ka qenë pjesë aktive e një grupi kriminal që vepronte në fushën e trafikut të narkotikëve, ndërsa dyshohet se ka marrë pjesë edhe në pastrimin e parave të përfituara nga aktivitetet e paligjshme.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për hetime të mëtejshme.