
Gushti dha sinjale pozitive për ecurinë e turizmit në vend, pas një ecurie zhgënjyese deri në korrik.
Sipas INSTAT, në gusht, në vend hynë 2.38 milionë shtetas të huaj, me një rritje prej 9.9% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Në korrik, zgjerimi kishte qenë vetëm 0.4%, në qershor 7.1%, në maj 1.38%, në prill 3.15% ndërsa marsi ishte me rënie prej 2.7%. Vetëm janari kishte shënuar një rritje dyshifrore prej 14.5%.
Të dhënat e detajuara të INSTAT bëjnë të ditur se efektin kryesor në ecurinë pozitive të hyrjeve të shtetasve të huaj e ka dhënë Kosova. Në gusht, në vend hynë gati 1.1 milionë shtetas nga Kosova, me një rritje prej 15% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo është hera e parë që raportohen mbi 1 milion hyrje nga Kosova në një muaj, të paktën që nga viti 2022, kur INSTAT raporton të dhënat e detajuara. Hyrjet e shtetasve nga Kosova zunë 47% të totalit në gusht, nga 38% që ishte kjo peshë për 8 mujorin.
Vetëm në gusht, hyrjet e shtetasve nga Kosova ndikuan në gati 70% të rritjes (142 mijë më shumë hyrje vetëm nga Kosova, nga 214 mijë hyrje më shumë në total).
Përkundrejt shifrave, operatorët turistikë nuk e kanë parë këtë optimizëm në tendencën reale. Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, ka pohuar në një intervistë të mëparshme për “Monitor” se ka një prani më të ulët të shqiptarëve të Kosovës.
Rënia e tyre është ndikuar nga disa faktorë, si rritja e çmimeve, zhvlerësimi i euros që ul të ardhurat që ata marrin kur i këmbejnë në lekë si dhe fakti që tashmë shtetasit e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza, duke pasur mundësi për të kaluar pushimet në vende të tjera si Greqia.
Që nga 1 maj, është rikthyer marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, në bazë të së cilës për automjetet e Kosovës që hynë në Shqipëri (dhe anasjelltas) nuk do të kryhen kontrolle kufitare, duke mundësuar lëvizje të shpejtë dhe të pakufizuar.
Lëvizja e tyre gjurmohet në mënyrë administrative bazuar në dhënat e automjeteve dhe transportit (p.sh. numri i autobusëve, makinave, udhëtarëve që deklarohen nga autoritetet e kufirit dhe transportit).
Një pjesë e hyrjeve vijnë në Shqipëri dhe tranzit për të udhëtuar përmes aeroportit të Rinasit, për shkak të çmimeve të lira të biletave dhe destinacioneve të shumta që po tërheqin gjithnjë e më shumë udhëtarë nga Kosova, tashmë që ata mund të udhëtojnë lirisht në Europë.
Duket se Kosova po shërben si një “amortizator” për turizmin, ashtu siç ndodhi dhe me eksportet shqiptare, ku tranziti i naftës po përfshihet si eksport në grupin minerale, lëndë djegëse dhe energji nga Shqipëria në Kosovë, duke rritur fiktivisht eksportet shqiptare./Monitor