Vendosni fjalën kyçe....

32 familje në Durrës kundërshtojnë urdhrin e përmbarimit, refuzojnë të largohen nga vilat në zonën e plazhit



Në zonën e plazhit të Durrësit, 32 familje që prej 30 vitesh banojnë në vilat nr. 36 dhe 38, janë në konflikt me vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila kërkon që ata të dalin nga banesat e tyre. Sipas vendimit, dy godinat janë privatizuar nga pronari i truallit dhe nuk janë më pronë e bashkisë.

Urdhri i përmbarimit që kërkon largimin e familjeve deri më datë 5 tetor ka alarmuar banorët, të cilët sot në mëngjes u paraqitën para godinës së Bashkisë Durrës për të kërkuar një takim urgjent me kryebashkiaken Emiriana Sako.

Banorët deklarojnë se kanë statusin e të pastrehëve dhe kërkojnë nga bashkia një zgjidhje alternative për strehimin, sipas premtimeve të dhëna në takimet e mëparshme.

Pas protestës, banorëve u është komunikuar se ditën e hënë të javës së ardhshme do të zhvillohet një takim me drejtuesit e bashkisë për të diskutuar mbi situatën dhe mënyrën e procedimit për strehimin e tyre.

Nga ana e bashkisë Durrës mësohet se familjet që janë të pastreha dhe nuk disponojnë banesë tjetër do të trajtohen në kuadër të programeve të strehimit, pas përfundimit të aplikimit përkatës.