Vendosni fjalën kyçe....

Të paktën një i vrarë dhe disa të plagosur nga një sulm me armë në një zyrë migrantësh në SHBA


Të paktën një person mbeti i vrarë dhe disa të tjerë u plagosën të mërkurën në një sulm me armë zjarri në një zyrë të Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave të SHBA (ICE) në Dallas, përpara se autori të vetëvritej me armë, bënë të ditur autoritetet lokale dhe federale.

Policia e Dallas-it tha se ngjarja ndodhi rreth orës 06:40 të mëngjesit me orën lokale, kur i dyshuari hapi zjarr ndaj zyrës nga një ndërtesë ngjitur, sipas Reuters.

 Dy persona u dërguan në spital me plagë nga arma, ndërsa një tjetër ndërroi jetë në vendngjarje.

Zyrtarët konfirmuan se asnjë oficer i ICE nuk është lënduar, por mbetet e paqartë nëse viktimat janë të ndaluar, roje sigurie apo pjesëtarë të forcave të rendit.

Sipas Tricia McLaughlin, zëdhënëse e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që autori të ketë qëlluar nga çatia e një ndërtese banimi pranë.

“Detajet ende nuk janë të qarta. Dukej sikur mund të ketë qenë një snajper ose një qitje nga distancë e gjatë,” tha ajo për Fox News.

Sipas autoriteteve, sulmi ka ndodhur në një zyrë rajonale të ICE, jo në një qendër paraburgimi. Në këtë zyrë kryhen procedura afatshkurtra për të ndaluarit rishtazi nga agjentët federalë.

Ngjarja ndodhi dy javë pas vrasjes me snajper të aktivistit konservator Charlie Kirk gjatë një aktiviteti në Utah, çka ka shtuar frikën për një valë të re dhune politike në SHBA.

Presidenti Donald Trump dhe zyrtarë të administratës së tij kanë fajësuar, pa prova, organizata liberale për nxitjen e trazirave dhe dhunës kundër së djathtës.

Të hënën, Trump firmosi një urdhër ekzekutiv që shpall lëvizjen antifashiste “antifa” si organizatë terroriste të brendshme, pavarësisht se nuk ka prova publike që e lidhin me vrasjen e Kirk.

Politikat e administratës Trump për shtimin e operacioneve të ICE kundër emigrantëve të parregullt kanë shkaktuar reagime të ashpra nga demokratët dhe aktivistët liberalë.

Qendrat e paraburgimit të ICE janë kthyer gjithnjë e më shumë në pika përplasjeje, ku agjentët kanë përdorur gaz lotsjellës dhe armë jo-vdekjeprurëse për të shpërndarë protestuesit.

Në korrik, një qendër paraburgimi e ICE në Alvarado, Teksas, ishte shënjestër e një proteste të armatosur ku mbeti i plagosur një polic.