
Kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, është marrë zyrtarisht i pandehur nga autoritetet hetimore, nën akuzat për një sërë shkeljesh të rënda në menaxhimin e tenderave dhe ankandeve publike.
Sipas burimeve zyrtare, ndaj Isait rëndojnë akuzat për:
Shpërdorim detyre
Korrupsion pasiv dhe aktiv
Fshehje të pasurisë
Shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publike
Hetimet kanë zbuluar një sërë tenderash të zhvilluar nga Bashkia Kolonjë që rezultojnë të parregullta dhe të shënuara me “flamur të kuq”. Sipas dokumenteve hetimore, këto tendera dyshohet se janë ndarë në mënyrë të paracaktuar, duke favorizuar subjekte të caktuara dhe duke cenuar konkurrencën e lirë.
Gjithashtu, autoritetet theksojnë se një pjesë e punimeve të realizuara në kuadër të këtyre kontratave nuk janë përfunduar sipas standardeve dhe projekteve të miratuara nga Autoriteti Kontraktor.
Një nga rastet më të përfolura është ai i rikonstruksionit të digës së Rezervuarit të Gjonçit dhe ndërtimi i pritave malore në disa fshatra të Bashkisë Kolonjë, gjatë vitit 2023. Punimet në fjalë nuk janë dorëzuar sipas specifikimeve teknike, ndërsa dyshohet se janë keqpërdorur fonde publike.
Hetimet për këtë çështje janë ende në vijim, ndërsa pritet që organet e drejtësisë të marrin masa të mëtejshme në bazë të provave të grumbulluara.