
Dy vjet pasi mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë Millan Radoiçiç është ende i lirë dhe me vendbanim të regjistruar në Beograd.
Këtë e konfirmon një përgjigje e Gjykatës së Lartë në Beograd, dhënë Radios Evropa e Lirë, ku thuhet se Radoiçiçit i është zgjatur masa e ndalimit të largimit nga Serbia, me detyrimin që të paraqitet në polici më 1 dhe 15 të çdo muaji.
“Vendimet gjyqësore i dorëzohen të pandehurit rregullisht në adresën e regjistruar të vendbanimit, në territorin e qytetit të Beogradit”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Lartë.
Aty thuhet, po ashtu, se Radoiçiç i respekton masat dhe se për herë të fundit është paraqitur në “stacionin kompetent policor, Savski Venac”, më 15 shtator të këtij viti.
Në përgjigje nuk specifikohet adresa e Radoiçiçit, por në territorin e kësaj komune qendrore të Beogradit gjenden vila luksoze dhe ndërtesa në pronësi të kompanive dhe personave të lidhur me të.
Ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – u la i lirë pas marrjes në pyetje në Beograd në tetor të vitit 2023, ndërsa në fund të vitit 2024, kryeprokurori paralajmëroi ngritjen e aktakuzës.
Gati një vit më vonë, prokuroria nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se çka e ka penguar marrjen e vendimit.
“Zyra e Prokurorit punon nën presion politik dhe nën ndikimin e autoriteteve. Kjo është sigurisht një nga arsyet përse nuk kemi ende aktakuzë”, thotë për REL-in Maja Bjellosh nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë.
Ndryshe nga Radoiçiç, i cili nuk u shfaq në publik që kur pranoi organizimin e sulmit në Banjskë, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Persona të tjerë nga aktakuza e Kosovës për këtë sulm, u panë këtë verë “duke ruajtur” vendin e punës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë protestave masive antiqeveritare./REL