
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në një fshat të Memaliajt, ku një 65-vjeçar është vënë nën hetim nga autoritetet për abuzim seksual ndaj një gruaje 32-vjeçare me probleme të shëndetit mendor.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia, shtetasi E. R., banues në një fshat të kësaj zone, dyshohet për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me një person të pazotë për t’u mbrojtur, vepër penale e parashikuar nga neni 107 i Kodit Penal.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Memaliaj referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. R., 65 vjeç, për veprën penale ‘Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur’,” thuhet në njoftimin e Policisë.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në komunitet, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e rastit dhe për të garantuar mbrojtjen ligjore të viktimës.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast abuzimi, sidomos kur bëhet fjalë për persona të kategorive të pambrojtura.