Vendosni fjalën kyçe....

PD akuza Ramës: I dha 9200 metra katrorë tokë publike në Himarë oligarkut të kompanisë ‘Gjikuria’ për vetëm 1 euro


Partia Demokratike ka denoncuar kryeministrin Rama se i ka dhënë kompanisë Gjikuria pa garë dhe në kundërshtim me ligjin 9200 metra katrorë në Himarë për një investim që nga qeveria është përcaktuar si strategjik e ku do ndërtohen një resort me 150 vila.

Në një deklaratë për mediat, depuoteti i PD-së Arbi Agalliu tha se qeveria Rama i kishte bërë më herët ndryshimet ligjore për t’i dhënë pasurinë publike kompanisë në fjalë duke e hequr fillimisht sipërfaqen në fjalë nga fondi i Zonave të Mbrojtura.

“Këtij vendimi personal të Edi Ramës i kishte paraprirë miratimi i ndryshimeve me VKM Nr. 187, datë 25.3.2021, ku një pjesë e pasurisë publike që do i jepej më vonë kompanisë Gjikuria, pa garë dhe në kundërshtim me ligjin, ishte hequr nga fondi i zonave të mbrojtura të Monumentit Natyror “ Delta e Përroit të Palasës”. Vetëm pas ndryshimit të kufinjve të Monumentit Natyror, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura konfirmon se sipërfaqja ku do të zhvillohet projekti ndodhet në afërsi të Monumentit Natyror “ Delta e Përroit të Palasës”, kategoria e III e zonave të mbrojtura, por nuk është më pjesë e zonës së mbrojtur. Për të realizuar qëllimin e tij personal, më datë 29 Korrik 2022, Edi Rama miraton një tjetër VKM, ku transferon për llogari të kompanisë Gjikuria 9200 m2 truall, duke ja vënë në dispozicion pa garë pronën publike për të ndërtuar hotel dhe 150 vila.” – tha Agalliu.

Më tej deputeti tha se personi që ka përfituar 9200 metra katrorë tokë publike për vetëm 1 euro është i njëjti që ka përfituar statusin e investitorit strategjik për projektin ‘Coast to Coast’ dhe që ka marrë me koncesion ndërtimin e rrugës Orikum-Llogara e që ka përfituar tendera të shumtë nga qeveria Rama.

“Është i njëjti oligark që një vit më parë, më datë 4 Shkurt 2021 ka përfituar statusin investitor strategjik për një tjetër projekt, të quajtur “Coast to Coast”, që gjithashtu parashikon ndërtimin e një kompleksi të përbërë nga 3 hotele, qindra vila rezidenciale, rinovimi i 40 (dyzet) shtëpive tradicionale dhe 1 (një) fermë me prodhimet bujqësore, në një sipërfaqe totale prej 21 ha. Edhe në këtë rast Qeveria parashikon në vendim që ti vendos në dispozicion pasuri të paluajtshme në pronësi të shtetit shqiptar, me qëllim realizimin e strukturës akomoduese turistike. Është i njëjti oligark që Qeveria i ka dhënë me koncesion ndërtimin e rrugës ‘Orikum-Llogara’, me vlerë rreth 50 milion euro, me vlerë 3 fishi i cmimit në vendet e tjera të rajonit dhe europës. Është i njëjti që në këto 9 vite ka përfituar miliona euro nga tenderat korruptiv dhe klientelist të Edi Ramës.” – shtoi Agalliu.