Vendosni fjalën kyçe....

Rama flet për “Diellën”: Do të menaxhojë prokurimet publike me AI, transparencë dhe lehtësim për kompanitë


Kryeministri Edi Rama, në konferencën “Shqipëria, Horizonti i Ri” që u zhvillua në Vjenë, foli gjerësisht për revolucionin digjital që po ndodh në Shqipëri dhe prezantoi nismën e re për menaxhimin e të gjitha prokurimeve publike përmes Inteligjencës Artificiale dhe ministres virtuale “Diella”.

Rama theksoi se kjo është një hap i madh përpara, që do ta bëjë procesin shumë më të thjeshtë për kompanitë që garojnë për tendera.

“Kompanive nuk do t’u duhet më të mbledhin letra lart e poshtë apo të bëjnë dosje të mëdha me dokumente. Inteligjenca Artificiale do t’i mbledhë të gjitha. Të shkruajnë emra, të hedhin interesin, çmimin dhe të presin. Pjesën tjetër do ta bëjë sistemi,” deklaroi ai.

Kryeministri theksoi se Shqipëria tashmë ka kaluar në një fazë ku shërbimet publike ofrohen kryesisht online, duke ulur ndjeshëm korrupsionin dhe kostot për qytetarët.

“95% e shërbimeve ofrohen sot përmes internetit. Është një ndryshim shumë i madh në krahasim me sistemin e mëparshëm, ku njerëzit rrinin në radhë dhe shpesh përballeshin me ryshfete. Sot ky sistem është i fshirë,” tha Rama.

Ai nënvizoi se “Diella” do t’i shërbejë qytetarëve në kohë reale, duke ndërvepruar me zë dhe kërkesa të drejtpërdrejta.

“Shumë shpejt qytetarët do të mund t’i thonë ministres virtuale: ‘Kam nevojë për këtë certifikatë, këtë dokument, këtë leje’ dhe ajo do t’ua ofrojë menjëherë. Mjafton të kërkosh, më duhet kjo,” u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë kujtoi se Shqipëria është ndër vendet e para që po aplikon një model gjithëpërfshirës për këtë proces, duke punuar në bashkëpunim me Microsoft.

“Vetëm pak muaj më parë patëm një seminar të madh në Tiranë me përfaqësues të 16 vendeve, të cilët u njohën me projektin tonë. Ka vende që kanë përfshirë Inteligjencën Artificiale vetëm në një pjesë të prokurimeve. Projekti ynë është i vetmi që parashikon menaxhimin e të gjithë procesit nga AI. Është një projekt ambicioz dhe po punojmë me Microsoft për të ndërtuar arkitekturën e duhur,” tha ai.

Në fund, Rama e cilësoi këtë transformim si një lehtësim të madh për bizneset dhe një garanci për transparencë.

“Është një hap shumë i madh përpara. Procesi do të jetë i shpejtë, transparent dhe do të lehtësojë ndjeshëm kompanitë që duan të marrin pjesë në tendera publikë. Është një projekt unik, që do të shërbejë si shembull për shumë vende të tjera,” përfundoi Rama.