Vendosni fjalën kyçe....

PD insiston: Veliaj duhet të dëgjohet para se Këshilli Bashkiak të propozojë shkarkimin e tij


Partia Demokratike thekson se procesi i shkarkimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duhet të zhvillohet sipas ligjit, duke garantuar që ai të jetë i pranishëm dhe t’i dëgjohen pretendimet në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, para se të propozohet shkarkimi i tij.

Dorjan Teliti, Nënkryetar i Këshillit Bashkiak Tiranë, deklaroi se “Kryesia e Këshillit Bashkiak duhet të mblidhet urgjentisht sot për të garantuar që procedura e shkarkimit të Erion Veliajt të zhvillohet në përputhje me ligjin, duke filluar nga e dëgjesa e tij në mbledhjen e Këshillit”.

Ai paralajmëroi se çdo devijim nga rregullat ligjore mund të ketë pasoja financiare për qytetarët e Tiranës, me dëmshpërblime që mund të arrijnë qindra mijëra euro.

Veliaj i është përgjigjur më parë kërkesës së Sekretarit të Këshillit Bashkiak për të dërguar mbrojtjen e tij me shkrim në rast se nuk mund të ishte fizikisht i pranishëm, duke theksuar se nuk është kompetencë e sekretarit të vendosë kufizime të tilla.

Edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh se kryebashkiaku duhet të dëgjohet sipas nenit 62, gërma c, të ligjit për qeverisjen vendore, i cili parashikon të drejtën e organit legjislativ të bashkisë për të kërkuar shkarkimin e kryetarit nëse ky i fundit mungon në krye të detyrës për më shumë se tre muaj.

PD nënvizon se shkarkimi i Veliaj mund të ndodhë sa më shpejt, por gjithmonë duke respektuar procedurën ligjore.