Kreu i PD-së Berisha tha sot se forca politike që drejton do bëjë përpjekje për të hyrë në koalicion të gjerë lidhur me zgjedhjet lokale në Bashkinë e Tiranës.
Lidhur me emrin e kandidatit që do përfaqësojë opozitën Berisha tha se do jetë pjesë e një debati të brendshëm.
“Së pari, PD do bëjë përpjekje për të hyrë me koalicion në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës. Nuk themi që ose të jetë kandidatura jonë ose s’ka koalicion, por të gjithë janë të vetëdijshëm që zëri kryesor në koalicion do të jetë PD,” tha Berisha, duke nënvizuar rolin udhëheqës të forcës që ai drejton.
Kreu i PD-së, Sali Berisha teksa u shpreh i rezervuar sa i takon faktit nëse opozita ka gati një emër përballë Ogerta Manastirliut për garën e Tiranës, theksoi se ka disa kandidatura.
“Kandidatët nuk mund të jenë gjë tjetër veçse emrat. Të siguroj se PD ka kandidatë të pakrahasueshme me korbën e Covid-it, përgjegjëse direkte për vjedhjet dhe fondet e politikat që kanë ndodhur. Ka disa kandidatura, jo një.” – tha ai.
