Vendosni fjalën kyçe....

Trafikonin armë drejt Anglisë, sekustrohet pistoletë me silenciator e fshehur në televizor



Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Metoda”, duke goditur një rast të trafikimit të armëve të zjarrit drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Gjatë kontrollit të ushtruar në një kamion në zonën e “Bulevardit të Ri”, u sekuestrua një pistoletë me silenciator, e ndarë në pjesë dhe e fshehur brenda një televizori.

Në kuadër të operacionit u arrestuan dy shtetas nga Shkodra, Jurgen Suca, 26 vjeç, dhe Segest Meti, 20 vjeç. Ndërkohë, është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tyre, R. A., 20 vjeç, po ashtu nga Shkodra.

Dyshohet se armët po trafikoheshin pa dijeninë e drejtuesit të kamionit, që po transportonte pajisjen me armën e fshehur.

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 3 Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.

Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal, pasi dyshohet se të njëjtët persona mund të jenë përfshirë edhe në raste të tjera të trafikimit të armëve.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.